“I godite me akuzat më të rënda, tash hesht”, Deliu: Dil Donikë, Kosovës i ke borxh një përgjigje

“I godite me akuzat më të rënda, tash hesht”, Deliu: Dil Donikë, Kosovës i ke borxh një përgjigje

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu ka kritikuar ministren e Drejtësisë, Donika Gërvalla, e cila ende nuk e ka thënë asnjë fjalë për aktgjykimin dënues në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Deliu ka shkruar duke thënë se dje Kosova është tronditur nga vendimi i Speciales, derisa sipas saj, Gërvalla ka heshtur.

Ajo ka kritikuar Gërvallën që për vite të tëra nuk është ndalur duke sulmuar Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin.

“I godite me akuzat më monstruoze, i sulmove me gjuhën më të ulët dhe rreth vetes mblodhe njerëz që mendojnë si ti e që sot mezi po e fshehin gëzimin për dënimin e tyre. E tani, çuditërisht, nuk e paske asnjë fjalë! Ti që nuk lë vendim të drejtësisë pa komentuar. Ti që nuk lë kundërshtar politik pa sharë e fyer. Ti që për UÇK-në ke pasur gjithmonë akuza.”, ka shkruar Deliu.

Ajo ka thënë se pikërisht kur udhëheqësit e UÇK-së morën dënime drakonike, ministrja e Drejtësisë mbeti pa zë.

“Për t’i akuzuar të mjaftoi zëri; për ta kundërshtuar padrejtësinë nuk të mjaftoi as posti! Donikë, dil para qytetarëve dhe përgjigju: a të shqetëson ky aktgjykim, apo heshtja jote është miratimi që nuk guxon ta shqiptosh publikisht? Ti përfaqëson drejtësinë e Republikës së Kosovës, Republikës së lindur nga lufta e UÇK-së. Kosovës nuk i ke borxh heshtje. I ke borxh përgjigje! Heshtja nuk të mbrojti. Nuk të fshehu. Të demaskoi!”, ka thënë Deliu. /Klankosova.tv


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.