Goditje e re zgjedhore për Merz-in: AfD fiton në Mecklenburg, E Majta pushton Berlinin

Një goditje e fortë për Friedrich Merz tregojnë sondazhet e para pas daljes nga qendrat e votimit në zgjedhjet e sotme krahinore në Berlin dhe në Mecklenburg-Vorpommern, ku CDU e kancelarit gjerman shënon një rënie të madhe të mbështetjes, raporton “Euronews”.
Sipas sondazhit të daljes nga votimi të transmetuesit ARD, në Mecklenburg-Vorpommern partia e së djathtës radikale Alternativa për Gjermaninë (AfD) ka fituar rreth 37 për qind të votave, ndërsa Partia Socialdemokrate (SPD) ka marrë 35.5 për qind. CDU ndodhet në vetëm 5.5 për qind, rrezikshëm afër pragut zgjedhor.
Nëse këto vlerësime konfirmohen me rezultatet përfundimtare, ky do të jetë rezultati më i dobët historik i CDU-së në zgjedhjet krahinore që nga viti 1949. Në zgjedhjet e mëparshme në këtë krahinë gjermane, partia kishte siguruar 13.3 për qind të votave.
CDU po humb mbështetje edhe në Berlin, ku sondazhet i japin rreth 20 për qind, dukshëm më pak se 28.2 për qind sa kishte fituar në vitin 2023. Partia e së Majtës (Die Linke), sipas vlerësimeve fillestare, renditet e prima me rreth 26 për qind.
Edhe pse AfD mund të përfundojë si partia më e fuqishme në Mecklenburg-Vorpommern, partitë e tjera deri më tani kanë përjashtuar çdo mundësi koalicioni me të. Kjo do të thotë se vendi i parë nuk i garanton automatikisht pjesëmarrjen në qeverinë krahinore.
Këto rezultate rrisin edhe më shumë presionin mbi Merz, i cili, sipas “Deutschlandfunk”, ka thirrur kryesinë e CDU-së për bisedime urgjente në Berlin. Po ashtu siç mësohet ai ka anuluar udhëtimin drejt SHBA-ve për të marrë pjesë në Asamblenë Vjetore të KS të OKB-së në Nju Jork. Megjithatë, rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve priten ende.(INA)
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



