Hamza pas zgjedhjes së Presidentes: Presim koordinim dhe mbështetje për kauzën e UÇK-së

Kreu i PDK-së, Bedri Hamza, ka reaguar pas zhvillimeve të fundit politike në vend, duke thënë se nata e mbrëmshme ishte e gjatë për Kosovën, por se ajo mund të shënojë edhe një kthesë drejt një rruge më të mirë për shtetin.
Hamza ka shprehur besimin se, së bashku me shtetin dhe Presidenten e re, Justina Shiroka-Pulën, do të ketë një angazhim më të madh edhe për ish-udhëheqësit e UÇK-së dhe betejën për drejtësi, të vërtetën dhe pastërtinë e luftës çlirimtare.
“Beteja për drejtësi në Hagë nuk mund të bëhet më vetëm nga individët, familjet, dashamirët dhe mbrojtësit e tyre, të cilët tash e gati gjashtë vjet po e bartin mbi supet e tyre peshën e rëndë të këtij procesi. Shteti ynë tani duhet të jetë pranë tyre, me të gjitha kapacitetet dhe përgjegjësitë që i takojnë”, ka shkruar Hamza.
Ai ka falënderuar qytetarët që kanë protestuar në Prishtinë, në qytete të tjera të Kosovës dhe në diasporë, duke u bërë zë i ish-krerëve të UÇK-së dhe pjesë e rëndësishme e këtij procesi.
Hamza ka theksuar se Kosovës i duhet një shtet që nuk harron dhe nuk dorëzohet përballë përpjekjeve për ta zbehur apo shtrembëruar të vërtetën për luftën çlirimtare.
“Tani kemi një Deklaratë të Përbashkët të zotimit dhe vullnetit politik në Kuvend, një ligj për mbrojtjen e UÇK-së dhe kemi Presidenten e zgjedhur. Prandaj, pa përjashtim, presim koordinimin, bashkëpunimin dhe mbështetjen e të gjithëve për këtë kauzë kombëtare”, ka deklaruar ai.
Po ashtu ai ka bërë thirrje për bashkim dhe angazhim të përbashkët.
“UÇK-ja na bashkoi në një vizion. Tani është koha që atë vizion ta shndërrojmë në një mision të përbashkët, me angazhim dhe vepra konkrete. Beteja jonë për drejtësi duhet të vazhdojë. Dhe në këtë betejë, çlirimtarët tanë nuk do të jenë vetëm. Duhet të jemi të gjithë bashkë!”, ka shkruar Hamza.
The post Hamza pas zgjedhjes së Presidentes: Presim koordinim dhe mbështetje për kauzën e UÇK-së appeared first on InfoShqip.com.
Burimi i lajmit: infoshqip.com
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



