Joseph kritikon BE-në për qortimin publik ndaj Kosovës për Ligjin e Speciales: Nuk morët asnjë masë ndaj Serbisë për Mlladiqin

Joseph kritikon BE-në për qortimin publik ndaj Kosovës për Ligjin e Speciales: Nuk morët asnjë masë ndaj Serbisë për Mlladiqin

Profesori amerikan, Edward Joseph, në një intervistë për Gazetën Express ka folur për ndryshimet e Ligjit për Dhomat e Specializuara që janë aprovuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe për kritikat që janë bërë në drejtim të Kosovës nga BE dhe shtete anëtare.

Joseph ka thënë se Brukseli zyrtar nuk i ka menaxhuar në mënyrë të duhur kritikat sa i përket Ligjit të ri për Gjykatën Speciale dhe sipas tij, shqetësimet do të duhej të ngriheshin privatisht në vend që të bëhej reagim publike për mosrespektim të obligimeve ndaj BE-së.

Në këtë pikë, Joseph kujton funeralin e Ratko Mlladiqit në Serbi që është përkrahur nga shteti serb e që BE s’ka ndërmarrë asnjë veprim.

“BE-ja i ka trajtuar në mënyrë të gabuar shqetësimet e saj lidhur me Ligjin e ri të Kosovës për Dhomat e Specializuara. Brukseli duhej t’i ngrinte këto shqetësime në mënyrë private, në vend që ta akuzonte publikisht Kosovën për mosrespektim të “obligimeve ndaj BE-së”. Brukseli nuk ka ndërmarrë asgjë konkrete lidhur me funeralin e Ratko Mlladiqit, të mbështetur nga shteti – kriminelit më të rëndë të luftës në Ballkan – ndërkohë që Serbia është vend kandidat për anëtarësim në BE”, ka thënë profesori amerikan i John Hopkins University.

Për shkak të mungesës së pasojave që lidhen me funeralin e Mlladiqit dhe për shkak të reagimeve festive në Beograd për dënimin e Thaçit dhe të tjerëve, Joseph thotë se BE-ja do të duhej të tregohej më e ndjeshme sa i përket trajtimit të Ligjit për Gjykatën Speciale.

“Mungesa e pasojave për Serbinë lidhur me funeralin e Mlladiqit si dhe reagimet festuese në Beograd ndaj aktgjykimeve të Dhomave të Specializuara kërkonin shumë më tepër ndjeshmëri në trajtimin e ligjit të Kosovës”, ka thënë Joseph për Express.

Ai tutje ka thënë se Gjykata Speciale s’është e imunizuar ndaj kritikave, teksa kujton faktin që dënimet ndaj katërshes së UÇK’së janë shumë më të mëdha krahasuar me dënimet e dhënga nga Tribunali i Hagës për krime shumë më të rënda.

“Dhomat e Specializuara nuk janë të imunizuara ndaj kritikave. Dënimet e shqiptuara ndaj katër ish-udhëheqësve të UÇK-së, përfshirë ish-presidentin Thaçi, janë tejet joproporcionale krahasuar me dënimet e dhëna nga Tribunali i Hagës për krime shumë më të rënda”, ka shtuar Joseph tutje.

Në fund, ai thotë se BE në vend të kritikave të ashpëra publike, ka mundur t’i ndaj shqetësimet sa i përket Ligjit në mënyrë private./


Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.