Edhe një kallëzim tjetër penal ndaj Ramiz Merko…

Edhe një kallëzim tjetër penal ndaj Ramiz Merko…

Ish-kryetari i Komunës së Strugës, Ramiz Merko, së bashku me dy punonjës të komunës, përballet me kallëzim penal për dyshime për kryerjen e veprës penale “punë e pandërgjegjshme në shërbim”.

Sipas njoftimit të policisë, R.M., në cilësinë e ish-kryetarit të Komunës së Strugës, gjatë mandatit të tij dyshohet se ka shfrytëzuar pozitën dhe autoritetin zyrtar duke mos kryer mbikëqyrjen e detyrueshme.

Në këtë mënyrë, sipas kallëzimit penal, ai ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për Ndërtim dhe ka nënshkruar në mënyrë të kundërligjshme një leje ndërtimi për një parcelë kadastrale në fshatin Misleshovë të Strugës.

Në rast janë përfshirë edhe A.B. dhe N.R., të cilët, sipas policisë, në cilësinë e këshilltarit në Sektorin për Urbanizëm, Veprimtari Komunale, Komunikacion dhe Mbrojtje të Mjedisit Jetësor dhe ndihmës-udhëheqësit të të njëjtit sektor, paraprakisht dyshohet se kanë përgatitur lejen e ndërtimit në kundërshtim me ligjin.

Sipas kallëzimit, leja është përgatitur mbi bazën e dokumentacionit të paplotë, pa projekt ideor të bashkëngjitur, dhe më pas është lëshuar në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për Ndërtim.

Policia thotë se ndaj tre personave ekzistojnë baza dyshimi për kryerjen e veprës penale “punë e pandërgjegjshme në shërbim”, ndërsa rasti do të procedohet më tej nga organet kompetente.

Të përfshirët konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim gjyqësor të formës së prerë.


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.