Kandidatët për deputet tashmë e dinë sa vota morën në zgjedhjet e 9 shkurtit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përfunduar numërimin e votave për kandidatët për deputetë dhe ka verifikuar votat për subjektet politike në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit. Nga numërimi i këtyre votave, deri tani Lëvizja Vetëvendosje ka 40.90 % të votave si subjekt, ndërsa kandidati për kryeministër Albin Kurti ka marrë 290 mijë e 729 vota.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përfunduar numërimin e votave për kandidatët për deputetë dhe ka verifikuar votat për subjektet politike në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.
Nga numërimi i këtyre votave, deri tani Lëvizja Vetëvendosje ka 40.90 % të votave si subjekt, ndërsa kandidati për kryeministër Albin Kurti ka marrë 290 mijë e 729 vota. Pas tij renditen Glauk Konjufca, Faton Peci, Hekura Murati, Albulena Haxhiu, Xhelal Sveçla, Donika Gërvalla Schëarz, Avni Dehari, Mimoza Kusari Lila e Arben Vitia, shkruan RTK.
Partia Demokratike e Kosovës, si partia e dytë më e votuar në zgjedhjet e 9 shkurtit, deri tani ka 22.03 % të votave, ndërsa kandidati i PDK-së për kryeministër Bedri Hamza numëron 164 mijë e 368 vota. Pas tij, me më së shumti vota janë renditur Memli Krasniqi, Uran Ismaili, Vlora Çitaku, Sala Jashari, Enver Hoxhaj, Përparim Gruda, Ganimete Musliu, Jakup Nura e Nait Hasani.
Lidhja Demokratike e Kosovës pa votat e diasporës dhe ato me kusht e ato të personave me nevoja të veçanta ka 17,64 % të votave, ndërsa kandidati i saj për kryeministër, Lumir Abdixhiku, deri tash ka marrë 126 mijë e 280 vota, ndërsa 10 më te votuarit te kandidatët për deputetë të LDK-së janë, Doarsa Kica Xhelili, Hykmete Bajrami, Kujtim Shala, Avdullah Hoti, Anton Quni, Lutfi Haziri, Jehona Lushaku Sadriu, Armend Zemaj dhe Gazmend Muhaxheri.
Koalicioni AAK-Nisma dhe partnerët e tjerë kanë arritur t’i fitojnë 7,46 %, ndërsa kandidati i koalicionit për kryeministër, Ramush Haradinaj, numëron 42 mijë e 658 vota. Në listën më të votuar të kandidatëve për deputetë nga koalicioni i tyre janë Daut Haradinaj, Fatmir Limaj, Bekë Berisha, Time Kadrijaj, Lahi Brahimaj, Arbëreshë Krasniqi, Vesel Krasniqi, Ardian Gjini dhe Arbër Tolaj.
Siç ka njoftuar KQZ, javën e ardhshme do të nisë numërimi i votave me kusht, votave të personave me nevoja të veçanta dhe votat nga diaspora që janë diku 10 % e gjithë numrit të atyre që kanë votuar në këtë proces zgjedhor.