“Kandidati për kryeparlamentar të mos jetë figurë përçarëse”, Murati: S’mund të zgjidhet dikush që s’është deputet

Ministri i Financave në dorëheqje, Hekuran Murati, ka thënë se nëse Lëvizja Vetëvendosje nuk do ta propozonte emrin për kryeparlamentar atëherë do të quhej bllokuese e procesit. Ai ka shkruar në Facebook se kryeparlamentari i takon partisë së parë, rrjedhimisht shton se kushdo që është zgjedhur deputet është i denjë për një pozitë të tillë.

“Kandidati për kryeparlamentar të mos jetë figurë përçarëse”, Murati: S’mund të zgjidhet dikush që s’është deputet

Ministri i Financave në dorëheqje, Hekuran Murati, ka thënë se nëse Lëvizja Vetëvendosje nuk do ta propozonte emrin për kryeparlamentar atëherë do të quhej bllokuese e procesit.

Ai ka shkruar në Facebook se kryeparlamentari i takon partisë së parë, rrjedhimisht shton se kushdo që është zgjedhur deputet është i denjë për një pozitë të tillë.

Sipas tij, interpretimi dhe qëndrimi i opozitës, pashmangshëm do ta çonte Kuvendin në një bllokadë tjetër, të patejkalueshme.

Kuvendi i Kosovës nuk po arrin ta zgjedh kreun, LVV ka propozuar Albulena Haxhiun, por opozita e cilëson si “figurë përçarëse”, e Murati i është përgjigjur këtyre deklaratave të opozitës.

Postimi i plotë i Muratit:

Qëndrimi dhe interpretimi i opozitës e çon Kuvendin në bllokadë totale. Qe pse!

Posti i Kryetarit të Kuvendit i takon partisë fituese, kështu e thotë Kushtetuta, dhe kjo tashmë është qartësuar edhe me interpretimin e Gjykatës Kushtetuese, që thotë se të gjithë deputetët e kanë për obligim të votojnë.

Kushtetuta e kërkon që në postin e Kryetarit dhe Nënkryetarëve mund të zgjedhen vetëm personat që janë bërë deputetë, pra nuk mund të zgjedhet dikush që nuk është bërë deputet.

Kjo len të kuptohet që secili deputet i zgjedhur është i denjë për postin e Kryetarit, përkatësisht Nënkryetarëve, por që diskrecioni për të propozuar se cili nga deputetët bëhet Kryetar i Kuvendit i takon partisë fituese, përkatësisht propozimi se cilët deputetë bëhen Nënkryetarë të Kuvendit u takon tri partive më të mëdha.

Pra, ngjashëm sikurse nuk na takon neve të vlerësojmë se kë e propozojnë PDK e LDK për pozitën e Nënkryetarit, për aq sa e plotësojnë kushtin të jenë deputetë të zgjedhur, e njëjta vlen edhe për postin e Kryetarit të Kuvendit – e drejta ekskluzive e propozimit i takon LVV-së si parti fituese, dhe përderisa plotësohet kushti i të qenit deputet i zgjedhur, të gjithë deputetët e Kuvendit duhet ta votojnë, në pajtim me interpretimin e Gjykatës Kushtetuese.

Po të mos propozonte fare Lëvizja Vetëvendosje emër për pozitën e Kryeparlamentarit, do të mund të quhej bllokuese e procesit.

Ne e kemi propozuar emrin, por opozita po refuzon t’a votojë. Kësisoj, bëhet e qartë se kush po e bllokon procesin.

Po qe se insistohet që barra për të bërë 61 vota i takon vetëm partisë fituese, e jo të gjithë deputetëve siç e ka thënë tashmë Gjykata Kushtetuese, ateherë ky lloj interpretimi na dërgon menjëherë në ngërçin tjetër, ku partitë opozitare nuk arrijnë të bëjnë votat e nevojshme për propozimet e tyre për Nënkryetarë të Kuvendit.

Sepse nëse barra e sigurimit të 61 votave i bie secilës parti, e jo të gjithë deputetëve siç e kërkon Kushtetuta, atëherë në momentin kur partia fituese i ka 61 vota për postin e Kryetarit, kjo nënkupton që partitë opozitare mbesin me vetëm 59 vota apo më pak, dhe me të njejtën logjikë nuk do të arrijnë kurrë që të zgjedhin Nënkryetarët e Kuvendit.

Pra, interpretimi dhe qëndrimi i opozitës, pashmangshëm do ta çonte Kuvendin në një bllokadë tjetër, të patejkalueshme.

Ne si parti fituese jemi të interesuar që të vazhdojmë tutje. Ftojmë edhe partitë opozitare që të lexojnë saktë rezultatin zgjedhor, e të respektojnë Kushtetutën, duke zhbllokuar procesin e konstituimit të Kuvendit.