Katër persona nën hetim, tre përfundojnë në kërkesë për paraburgim! Ja si funksiononte skema e zhvatjes në Kumanovë

Katër persona nën hetim, tre përfundojnë në kërkesë për paraburgim! Ja si funksiononte skema e zhvatjes në Kumanovë

Një hua prej 4 mijë eurosh, e cila duhej të kthehej brenda një muaji, u shndërrua në një makth për një grua nga Maqedonia e Veriut. Edhe pse ajo ia kishte kthyer të gjithë shumën personit që ia kishte dhënë borxh, bashkë me kamatën e dakorduar prej 2.500 eurosh, kërkesat ndaj saj nuk përfunduan aty, përcjell TV21.

Sipas Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, personi që i kishte dhënë paratë kërkoi më pas ta përdorte llogarinë e saj bankare për të qarkulluar para të përfituara nga zhvatja. Kur gruaja refuzoi, nisën kërcënimet.

Madje, sipas hetimeve, asaj iu kërkua që automjetin e saj ta vendoste si peng për borxhe që në të vërtetë nuk ekzistonin. Për këtë qëllim, të dyshuarit përgatitën dokumente fiktive, falsifikuan nënshkrimin e saj dhe i vërtetuan te noteri pa dijeninë e saj.

Prokuroria thotë se grupi nuk u ndal me kaq. Duke shfrytëzuar dokumentet e falsifikuara, ata vazhduan t’i bënin presion gruas që t’ua dorëzonte automjetin dhe të shlyente një borxh të pretenduar prej një milion denarësh.

Në njoftimin e Prokurorisë përshkruhet edhe mënyra se si funksiononte grupi:

“Në një periudhë më të gjatë kohore, përkatësisht që nga viti 2021, grupi i formuar nga i dyshuari i parë nga Kumanova, me kërcënime të rënda ka zhvatë para nga persona të dëmtuar, duke i detyruar dhe më së shpeshti duke shfrytëzuar varësinë e tyre për shkak të huave të mëparshme. Edhe pse të dëmtuarit i kishin kthyer shumat e dakorduara, të dyshuarit vazhdonin t’u kërkonin pagesa shtesë, ndërsa llogaritë e tyre i përdornin për të transferuar shuma të mëdha parash të përfituara nga zhvatja, duke i paraqitur ato si hua formale dhe më pas duke i tërhequr në para të gatshme”, thuhet mes tjerash në njoftim.

Një tjetër viktimë kishte marrë dy herë nga 180 mijë denarë hua, në vitin 2021. Paratë i nevojiteshin për trajtimin mjekësor të bashkëshortes. Edhe pse i kishte kthyer të gjitha mjetet sipas marrëveshjes, të dyshuarit vazhduan t’i kërkonin pagesa shtesë në emër të kamatës. Sipas Prokurorisë, duke e shfrytëzuar këtë gjendje varësie, ata e detyruan edhe këtë person që llogarinë e tij bankare ta përdornin për transferimin e shumave të mëdha të parave të përfituara nga zhvatja. Për këto raste, Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka hapur procedurë hetimore ndaj katër personave, të dyshuar për pjesëmarrje në bashkim kriminal, pastrim parash dhe zhvatje. Për tre prej tyre është kërkuar masa e paraburgimit, ndërsa personi i katërt prej një periudhe ndodhet jashtë vendit.

Në këtë rast është përfshirë edhe një noter, i dyshuar për punë të pandërgjegjshme në shërbim, pasi kishte lejuar vërtetimin e dokumenteve të rreme. Për të është kërkuar caktimi i masave të kujdesit. Hetimi është në vazhdim, ndërsa të dyshuarit prezumohen të pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë.

The post Katër persona nën hetim, tre përfundojnë në kërkesë për paraburgim! Ja si funksiononte skema e zhvatjes në Kumanovë appeared first on InfoShqip.com.


Burimi i lajmit: infoshqip.com
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.