SPAK kërkon psikolog për hetuesit e BKH-së, 15 milionë lekë për kasaforta dhe grirëse letrash
Prokuroria e Posaçme ka kërkuar për vitin 2027 një psikolog institucional për të mbështetur hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit, të cilët, sipas institucionit, përballen me presione psikologjike, kërcënime dhe ngarkesë të lartë pune.
Kërkesa u bë gjatë prezantimit të projektbuxhetit të SPAK për vitin 2027 në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale. Psikologu parashikohet të ofrojë mbështetje për stafin, por edhe të asistojë gjatë intervistimit të dëshmitarëve të rrezikuar dhe bashkëpunëtorëve të drejtësisë.
Ndërkohë, SPAK ka parashikuar 15 milionë lekë për pajisje zyrash, ku përfshihen kasaforta, grirëse letrash, mobilie dhe pajisje për ambientet mbështetëse. Fondet lidhen me shtimin e personelit dhe funksionalizimin e godinës së re.
Sipas të dhënave të paraqitura nga prokurori Alfred Shehu, buxheti i SPAK është rritur nga 327 milionë lekë në vitin 2020 në 2.3 miliardë lekë në vitin 2026, ndërsa për vitin 2027 është parashikuar në 2.32 miliardë lekë.
Për vitin e ardhshëm janë planifikuar gjithashtu 30 milionë lekë për blerjen e tetë automjeteve dhe 174 milionë lekë për pajisje elektronike dhe infrastrukturë teknologjike.
SPAK ka kërkuar edhe 25 pozicione të reja pune, tetë në Prokurorinë e Posaçme dhe 17 në BKH. Aktualisht, institucioni ka 220 punonjës nga 339 pozicione të parashikuara në strukturën organike, duke lënë 119 vende vakante.
Drejtori i buxhetit dhe menaxhimit financiar, Armand Shini, argumentoi nevojën për psikologun institucional me natyrën e veprimtarisë hetimore dhe presionet me të cilat përballen hetuesit.
“Stafi i BKH-së përballet me presione psikologjike, me kërcënime dhe ngarkesë të lartë që karakterizojnë natyrën e veprimtarisë hetimore. Psikologu do të asistojë edhe në intervistat që do të bëjnë hetuesit, për dëshmitarët e rrezikuar, por edhe bashkëpunëtorët e drejtësisë”, u shpreh Shini.
The post SPAK kërkon psikolog për hetuesit e BKH-së, 15 milionë lekë për kasaforta dhe grirëse letrash appeared first on Euronews Albania.
Burimi i lajmit: euronews.al
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.