A po zbutet Maksi, pas reagimeve të VLEN vendos flamurin shqiptar në komunë ?!
Pas reagimeve të shumta të VLEN-it ndaj qëndrimeve të tij kundër mbajtjes së provimit të jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe, kryetari i Komunës së Kumanovës dhe lideri i ZNAM-it, Maksim Dimitrievski, sot ka vendosur flamurin shqiptar në objektin e komunës.
Dimitrievski ditëve të fundit shkaktoi reagime të ashpra në opinion, pasi paralajmëroi se ZNAM-i do të largohet nga Qeveria nëse lejohet që provimi i jurisprudencës të mbahet edhe në një gjuhë tjetër përveç maqedonishtes.
Qëndrimet e tij u kundërshtuan nga përfaqësuesit e VLEN-it. Bashkëkryetari Izet Mexhiti, në një reagim publik, i kujtoi Dimitrievskit se edhe vetë Komuna e Kumanovës funksionon në dy gjuhë, duke i bërë thirrje që, nëse e pengon përdorimi i shqipes, të lirojë postin e kryetarit të komunës.
Vendosja e flamurit shqiptar në Komunën e Kumanovës vjen në kohën e debatit të ashpër politik për të drejtat gjuhësore dhe pas reagimeve të VLEN-it ndaj deklaratave të liderit të ZNAM-it.
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.