Sulm kibernetik ndaj fondit federal zviceran të pensioneve, rrjedhin të dhëna

Sulmi ndaj një kompanie që ofron shërbime softuerike për fondin Publica ka shkaktuar rrjedhje të të dhënave. Ende nuk dihet se çfarë informacioni është prekur.
Fondi federal zviceran i pensioneve Publica është prekur nga një sulm kibernetik ndaj një prej furnizuesve të tij të jashtëm të softuerit.
Kompania e zbuloi sulmin në fund të shtatorit dhe më pas bëri kallëzim penal. Për rastin ka nisur hetim edhe Prokuroria Federale e Zvicrës.
Deri tani nuk është bërë e ditur se cilat të dhëna janë vjedhur apo rrjedhur. Publica dhe autoritetet federale po hetojnë për të përcaktuar përmasat e incidentit dhe llojin e informacionit të prekur.
Identiteti i kompanisë së sulmuar nuk është bërë publik.
Publica ka njoftuar personat e siguruar për incidentin, pasojat e mundshme dhe masat e ndërmarra. Sipas fondit, institucionet e tjera federale nuk kanë marrëdhënie biznesi me kompaninë e prekur.
Publica është një nga fondet më të mëdha të pensioneve në Zvicër dhe siguron, ndër të tjerë, punonjës të administratës federale dhe të institucioneve të fushës së ETH-së. Në fund të vitit 2025, fondi kishte rreth 70 mijë anëtarë aktivë dhe 41 mijë e 600 pensionistë, ndërsa asetet e tij arrinin në afro 45 miliardë franga zvicerane.
Autoritetet po punojnë për të përcaktuar nëse janë prekur të dhëna personale të personave të siguruar dhe çfarë informacioni mund të ketë dalë nga sistemet e furnizuesit.
The post Sulm kibernetik ndaj fondit federal zviceran të pensioneve, rrjedhin të dhëna appeared first on Albinfo.
Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



