Kolona në Morinë, automjetet që po hyjnë nga Kosova në Shqipëri po kontrollohen nga zyrtarët kufitarë

Kolona të gjata automjetesh janë krijuar të shtunën në pikën kufitare mes Kosovës dhe Shqipërisë.
Të gjitha automjetet po i nënshtrohen kontrollit nga zyrtarët, por kësaj radhe raportohet se në disa raste po kryhen kontrolle edhe të automjeteve.
Nga zyrtarët nuk janë dhënë informacione, por një masë të tillë autoritetet e Shqipërisë mund ta kenë marrë për shkak të protestave të dhunshme që po zhvillohen prej pesë ditësh në kryeqytet dhe qytete të tjera.
Nxënës e studentë për të pestën ditë radhazi po protestojnë në Shqipëri. Protesta pati nisur para Ministrisë së Arsimit e që më pas përshkallëzoi në përplasje të dhunshme mes protestuesve e Policisë. Protestuesit kanë hedhur gurë e gjësende drejt objekteve private e publike, duke dëmtuar disa prej tyre. Ata po protestojnë kundër rritjes së kostove të arsimit dhe korrupsionit, ndërsa kanë kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Ky i fundit ka deklaruar se nuk do të largohet nga detyra.
Mbi 150 të rinj janë arrestuar gjatë katër ditëve, ndërsa të premten u raportua se dy të rinj nga Kosova ishin arrestuar si pjesëmarrës në aktet e dhunës gjatë protestave në Tiranë. Ata kishin deklaruar për “TV Klan” se kishin ardhur nga Prishtina për të protestuar kundër qeverisë shqiptare.
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



