Kompanitë zvicerane po avancojnë në tregun e dronëve ushtarakë

Kompanitë zvicerane po avancojnë në tregun e dronëve ushtarakë

Kompanitë zvicerane po shënojnë zhvillim të shpejtë në sektorin e dronëve ushtarakë, me fokus të veçantë në teknologjinë autonome dhe inteligjencën artificiale.

Një prej tyre është startup-i Volatorix, me seli në Freiburg, i cili ka zhvilluar një prototip droni përgjues që mund të arrijë shpejtësinë prej 500 kilometrash në orë dhe të identifikojë dronët kundërshtarë. Pajisja synon të funksionojë në mënyrë autonome, pa pasur nevojë për kontroll të drejtpërdrejtë njerëzor, dhe është projektuar për mbrojtjen e infrastrukturës strategjike, si centralet elektrike, digat dhe qendrat e të dhënave.

Sipas bashkëthemeluesve të kompanisë, interesimi për këtë teknologji është rritur ndjeshëm, ndërsa vetëm tetë muaj pas themelimit, Volatorix ka siguruar porosi të shumta dhe po merr pjesë në tenderë në Zvicër dhe jashtë saj.

Ndërkohë, edhe kompania Flyability po përballet me rritje të kërkesës për dronët e saj të inspektimit industrial. Drejtori i saj, Patrick Thévoz, thotë se kërkesa për komponentë dhe pajisje është rritur ndjeshëm, pjesërisht si pasojë e luftës në Ukrainë.

Zhvillimi i shpejtë i industrisë ka shtuar edhe konkurrencën për specialistë të teknologjisë dhe inteligjencës artificiale. Aktualisht, rreth 80 kompani zvicerane janë të përfshira në këtë sektor.

Megjithatë, neutraliteti i Zvicrës mbetet një sfidë për disa kompani që synojnë të zgjerojnë aktivitetin në tregun ndërkombëtar. Për këtë arsye, kompania Auterion, e specializuar në sistemet operative për flotat autonome të dronëve, ka zhvendosur një pjesë të aktiviteteve të saj në Gjermani dhe Shtetet e Bashkuara, me synimin për të operuar më lirshëm në tregjet e vendeve anëtare të NATO-s.

Zhvillimet tregojnë se dronët dhe teknologjitë autonome po marrin rol gjithnjë e më të madh në industrinë globale të mbrojtjes, ndërsa kompanitë zvicerane synojnë të shfrytëzojnë këtë trend për të forcuar praninë e tyre në tregun ndërkombëtar.

The post Kompanitë zvicerane po avancojnë në tregun e dronëve ushtarakë appeared first on Albinfo.


Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.