Vala e të nxehtit gjatë verës shkaktoi rreth 1.260 vdekje në Zvicër

Vera e vitit 2026 ishte më e nxehta e regjistruar ndonjëherë në Zvicër, që nga fillimi i matjeve meteorologjike. Sipas vlerësimeve të publikuara nga Instituti Zviceran i Mjekësisë Tropikale dhe Shëndetit Publik (Swiss TPH), temperaturat e larta kontribuuan në rreth 1.260 vdekje gjatë periudhës maj–gusht. Shifrat janë të krahasueshme me ato të valës së të nxehtit të vitit 2003.
Sipas raportit paraprak të Swiss TPH, të përgatitur me kërkesë të Zyrës Federale të Shëndetit Publik (OFSP) dhe Zyrës Federale të Mjedisit (OFEV), gjithsej 1.257 vdekje të regjistruara nga maji deri në gusht të vitit 2026 i atribuohen statistikisht temperaturave të larta.
Kjo shifër përfaqëson rreth 14 vdekje për çdo 100.000 banorë, ose 5,5 për qind të të gjitha vdekjeve të regjistruara gjatë kësaj periudhe.
Grupet më të rrezikuara nga temperaturat ekstreme ishin të moshuarit. Rreth 85 për qind e viktimave ishin persona të moshës 75 vjeç e lart.
Në Zvicër, temperaturat e larta konsiderohen rreziku natyror që shkakton numrin më të madh të vdekjeve.
Temperaturat e larta shkaktuan vdekje edhe në ditët me vapë mesatare
Sipas vlerësimeve statistikore, rreth 70 për qind e vdekjeve të lidhura me të nxehtin ndodhën gjatë ditëve të nxehta ose shumë të nxehta.
Në ditët kur temperatura mesatare ishte nga 25 deri në më pak se 27 gradë Celsius, u regjistruan 485 vdekje, ndërsa ditët me temperatura mesatare prej 27 gradësh e lart u shoqëruan me 400 vdekje.
Ndërkohë, 373 vdekjet e tjera ndodhën edhe gjatë ditëve me nxehtësi mesatare, kur temperatura ishte nën 25 gradë Celsius.
Pragjet prej 25 dhe 27 gradësh përkojnë përkatësisht me nivelet 3 dhe 4 të alarmit për valë të të nxehtit, të përcaktuara nga shërbimi meteorologjik zviceran, MeteoSwiss.
Shifrat përfundimtare priten në vitin 2027
Duke marrë parasysh pasiguritë statistikore, numri i përgjithshëm i vdekjeve të lidhura me temperaturat e larta në vitin 2026, si dhe numri i tyre për 100.000 banorë, janë në të njëjtin nivel me ato të regjistruara gjatë valës së të nxehtit të vitit 2003.
Megjithatë, në këtë vlerësim ende nuk janë përfshirë të dhënat për muajin shtator.
Analiza e Swiss TPH bazohet në krahasimin e temperaturave ditore të regjistruara nga MeteoSwiss me numrin e vdekjeve të raportuara në Zyrën Federale të Statistikave (OFS).
Të dhënat e vdekshmërisë të përdorura në raport janë ende paraprake, pasi disa raste raportohen me vonesë. Një version përfundimtar dhe më i detajuar i raportit pritet të publikohet në pranverën e vitit 2027.
Ndërkohë, që në muajin shtator, Këshilli Federal i Zvicrës kishte paralajmëruar për rreth 570 vdekje shtesë te personat mbi 65 vjeç, të lidhura me valën e të nxehtit.
The post Vala e të nxehtit gjatë verës shkaktoi rreth 1.260 vdekje në Zvicër appeared first on Albinfo.
Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



