Zvicër: Konsumatorët po paguajnë më shumë për energjinë elektrike

Zvicër: Konsumatorët po paguajnë më shumë për energjinë elektrike

Rezerva strategjike e energjisë elektrike në Zvicër po u kushton konsumatorëve më shumë se sa ishte planifikuar. Sipas një raporti të Zyrës Federale të Auditimit, projekti kap vlerën e 2.3 miliardë frangave, me një tejkalim të kostos prej 220 milionë frangash, që përfundimisht bartet në faturat e qytetarëve.

Raporti vë në pikëpyetje vendimin për ndërtimin e centraleve të reja rezervë, të cilat nga viti 2030 do të prodhojnë energji duke përdorur biokarburante dhe lëndë djegëse me bazë hidrogjeni.

Sipas auditorëve, në rast të mungesës së energjisë mund të përdoreshin edhe gjeneratorët ekzistues, duke kursyer rreth 120 milionë franga. Ndërsa kapaciteti më i madh se minimumi i nevojshëm i centraleve të reja pritet t’i shtojë projektit edhe 100 milionë franga.

Kostot financohen pjesërisht përmes një tarife shtesë prej rreth gjysmë centi për kilovat-orë, e cila përfshihet në faturat e energjisë elektrike të konsumatorëve.

Nga ana tjetër, Komisioni Federal i Energjisë Elektrike (ElCom) e mbron kapacitetin shtesë, duke argumentuar se ai është i nevojshëm si masë sigurie për të garantuar furnizimin me energji në rast të një krize.

The post Zvicër: Konsumatorët po paguajnë më shumë për energjinë elektrike appeared first on Albinfo.


Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.