Korridori 8, premtime pa fund! Maqedonia sërish me afat të ri: Deri në vitin 2032

Korridori 8 vazhdon të mbetet një projekt me rëndësi strategjike, por edhe me vite të tëra pritjeje. Në konferencën ndërkombëtare në Sofje, ministrat e rajonit kërkuan përshpejtimin e punimeve, ndërsa viti 2032 u përmend si afat i synuar për përfundimin e tij.
Ministri i Jashtëm, Timço Mucunski, deklaroi se Maqedonia është e përkushtuar t’i përmbushë detyrimet e saj, në bashkëpunim me Shqipërinë, Bullgarinë dhe partnerët evropianë.
“Qytetarët dhe partnerët evropianë do ta vlerësojnë Korridorin 8 sipas infrastrukturës që realisht do të ndërtojmë”, theksoi Mucunski.
Ministrja bullgare Velislava Petrova pranoi se projekti prej vitesh është prioritet, por nuk është punuar gjithmonë me ritmin e nevojshëm. Ajo përmendi vitin 2032 si objektiv për përmbushjen e afateve.
Ndërkohë, eurokomisionerja Marta Kos theksoi rëndësinë e lidhjes së Ballkanit Perëndimor me BE-në, duke përsëritur vizionin që i gjithë rajoni një ditë të bëhet pjesë e familjes evropiane.
Pavarësisht deklaratave politike, sfida kryesore mbetet kalimi nga marrëveshjet në ndërtimin konkret të rrugëve dhe hekurudhave.
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



