Kosova me mungesë serioze të kapaciteteve institucionale në menaxhimin e rreziqeve klimatike

Instituti për Siguri dhe Reziliencë “PREVENT”, ka lansuar raportin hulumtues mbi kapacitetet institucionale të sigurisë për përballimin e emergjencave civile, katastrofave natyrore dhe sfidave të tjera të shkaktuara nga ndryshimet klimatike, raporton Ekonomia Online. Aty u tha se Kosova përballet me mungesë serioze të kapaciteteve institucionale në menaxhimin e rreziqeve klimatike, sidomos në përgjigjen emergjente

Kosova me mungesë serioze të kapaciteteve institucionale në menaxhimin e rreziqeve klimatike

Instituti për Siguri dhe Reziliencë “PREVENT”, ka lansuar raportin hulumtues mbi kapacitetet institucionale të sigurisë për përballimin e emergjencave civile, katastrofave natyrore dhe sfidave të tjera të shkaktuara nga ndryshimet klimatike, raporton Ekonomia Online.

Aty u tha se Kosova përballet me mungesë serioze të kapaciteteve institucionale në menaxhimin e rreziqeve klimatike, sidomos në përgjigjen emergjente, koordinimin mes institucioneve qendrore dhe lokale si dhe në burimet financiare dhe teknike.

Kosova ishte shumë e cenueshme ndaj përmbytjeve të shpeshta, thatësirave të zgjatura, krizës së ujit, zjarreve në pyje dhe temperaturave ekstreme, të cilat kërcënojnë sigurinë ushqimore, shëndetin publik dhe stabilitetin ekonomik.

Adea Kondirolli tha se ky raport po vjen në kohën më kritike me të cilën po përballet Kosova, si thatësira e vërshimet e shpeshta.

“Ndryshimet nuk janë diçka që mundemi me u përballë individualisht, por duhet organizim ndërinstitucional dhe kësisoj OJQ ndërkombëtare janë duke punuar në drejtim të energjisë së gjelbër. Kosova aktualisht ka sfida të shumta dhe ky raport vjen pikërisht në këtë kohë me të cilën po përballet Kosova”, tha ajo.

Andi Batusha, bashkautor i këtij raporti tha se ndryshimet klimatike nuk janë thjesht një çështje mjedisore, por ato përbëjnë një sfidë për sigurinë, ekonominë dhe shoqërinë.

“Kosova përballet me rreziqe në rritje si: temperatura ekstreme, përmbytja, thatësira dhe fatkeqësi natyrore. Përgatitja institucionale është thelbësore, por kapacitetet aktuale janë të pamjaftueshme. Gjetjet kryesore janë si: sistemet e reagimit emergjent mungojnë, nuk ka burime dhe kapacitete teknike të mjaftueshme, koordinim i dobët ndërinstitucional si dhe midis institucioneve të nivelit qendror dhe atyre lokale, kornizat strategjike dhe ligjore ekzistojnë, por mungojnë mekanizmat e zbatimit dhe monitorimit”, tha Batusha.

Ai përmendi edhe kërcënimet dhe rreziqet nga ndryshimet klimatike në Kosovë.

“Rritje të temperaturave, valëve të të nxehtit, si rrjedhim i shtimit të periudhave me thatësi, shtim i vatrave dhe vëllimit të zjarreve: ndikim negativ në prodhim të ushqimit; ndërprerje e furnizimit me ujë. Gjatë vitit 2024 ka pasur mbi 100 raste të zjarreve në male, ku është kërkuar edhe kërkesë për intervenim nga ajri nga KFOR-i”.