KPM paralajmëron se do të hapë raste ligjore për secilin ndryshim të pronësisë që nuk ka marrë paraprakisht aprovimin
Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM), përmes një njoftimi ka thënë se kohëve të fundit është duke u përballur me dukurinë e ndryshimit të pronësisë së të licencuarve në certifikatën e regjistrimit të biznesit të tyre, pa miratim paraprak me shkrim nga KPM siç është përcaktuar me Ligjin dhe aktet nënligjore të KPM-së. KPM thotë […]


Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM), përmes një njoftimi ka thënë se kohëve të fundit është duke u përballur me dukurinë e ndryshimit të pronësisë së të licencuarve në certifikatën e regjistrimit të biznesit të tyre, pa miratim paraprak me shkrim nga KPM siç është përcaktuar me Ligjin dhe aktet nënligjore të KPM-së.
KPM thotë se ndryshimi i pronësisë në certifikatën e biznesit në të cilën është lëshuar licenca e KPM-së, pa miratim paraprak, përbën shkelje të Ligjit dhe akteve nënligjore të KPM-së si dhe kushteve të licencës së KPM-së. Lidhur me këtë ju përkujtojmë Nenin 21, paragrafin 3 të Ligjit Nr. 04/l-44 për Komisionin e Pavarur të Mediave i cili përcakton:
“Licencat nuk mund të shfrytëzohen dhe barten pa autorizimin dhe pa aprovimin paraprak me shkrim të KPM-së”.
“Gjithashtu, me kushtet dhe termet e licencës së të licencuarve, përcaktohet që për çdo ndryshim në pronësi që kap më shumë se 10% të aksioneve të interesave ose ato që kanë ndikim të theksuar në kontrollin e të Licencuarit, kërkohet paraprakisht aprovimi me shkrim nga ana e KPM-së”, thuhet në njoftimin e bërë për media.
Tutje, KPM kërkon nga licencuarit që të mos ndërmarrin asnjë veprim për ndryshim të pronësisë në certifikatën e tyre të regjistrimit të biznesit pa miratim paraprak me shkrim nga KPM, (kjo nënkupton që procesi i ndryshimit të pronësisë së pari duhet të autorizohet nga KPM, e pastaj të ndodh ndryshimi në certifikatën e biznesit) në të kundërtën, në të gjitha rastet e ndryshimit të pronësisë pa miratim paraprak me shkrim nga KPM do të merren masa të menjëhershme sanksionues në pajtim me Nenin 30 të Ligjit për KPM-në, të cilat masa mund të çojnë deri në Ndërprerje të Licencës”