Kurti e Abdixhiku takohen sërish, kësaj here “fshehurazi” në zyrën e Vjosa Osmanit

Kurti e Abdixhiku takohen sërish, kësaj here “fshehurazi” në zyrën e Vjosa Osmanit

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, po zhvillojnë sërish takim mes tyre, kësaj here në zyrën e ish-presidentes Vjosa Osmani, që ka nisur në ora 16:00.

Ndryshe nga takimet e mëparshme mes dy liderëve, të cilat u zhvilluan në ambientet e Kuvendit të Kosovës, siç merr vesh gazeta Online Reporteri.net, takimi i sotëm po mbahet në zyrën e Osmanit në Presidencë.

Takimi vjen një ditë pasi marrëveshja e arritur mes LVV-së dhe LDK-së për mbështetjen e Bekim Sejdiut për president u vu në pikëpyetje, pas qëndrimit kundërshtues të gjashtë deputetëve të LDK-së.

Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Arben Gashi, Janina Ymeri, Armend Zemaj dhe Kujtim Shala kanë bërë të ditur se nuk do ta mbështesin Sejdiun për president. Q

Qëndrimi i tyre shkaktoi përplasje të reja politike brenda LDK-së dhe rrezikon zbatimin e dakordimit të arritur mes dy partive.

Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, dje tha se kundërshtimi i gjashtë deputetëve e çon vendin drejt zgjedhjeve të reja, ndërsa Kurti deklaroi se marrëveshja politike me LDK-në për kandidaturën e Sejdiut mbetet valide.

Pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të LVV-së, Kurti kishte paralajmëruar pikërisht një takim të ri me Abdixhikun, duke thënë se situata politike kishte ndryshuar pas qëndrimit të gjashtë deputetëve të LDK-së.

“Duhet të ritakohem me Abdixhikun edhe me kryesinë e LVV-së sepse situata ka ndryshuar krahasuar me takimin që kishim kur kishim 80 deputetë”, kishte deklaruar Kurti.


Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.