Locarno thyen rekordin zviceran për netët tropikale

Locarno është bërë pika kryesore e Zvicrës për të ashtuquajturat “net tropikale”, ndërsa temperaturat e larta gjatë natës po shënojnë rekorde të reja në jug të vendit.
Gjatë kësaj vere, në stacionin matës Locarno-Monti janë regjistruar 47 net në të cilat temperatura nuk ka rënë nën 20 gradë Celsius, numri më i lartë i regjistruar ndonjëherë në Zvicër.
Edhe Lugano po përjeton një verë jashtëzakonisht të nxehtë. Në qytetin më të madh të kantonit Ticino janë regjistruar deri më tani 44 net tropikale, transmeton albinfo.ch.
Shifrat e këtij viti tejkalojnë madje edhe ato të verës së jashtëzakonshme të vitit 2003. Atëherë, Locarno kishte regjistruar 42 net tropikale, ndërsa Lugano 33.
Meteorologu Luca Panziera nga MeteoSwiss ka bërë të ditur se deri në vitet 1980 regjistroheshin më pak se dhjetë net tropikale në vit. Shifrat aktuale përfaqësojnë kështu një rekord të ri sa u përket temperaturave gjatë natës në jug të Alpeve.
Locarno dhe Lugano janë aktualisht të vetmet stacione matëse në Zvicër që kanë regjistruar një numër kaq të madh netësh tropikale.
Në Lugano janë regjistruar gjithashtu net kur temperaturat nuk kanë zbritur as nën 25 gradë Celsius. Më 27 qershor të këtij viti, temperatura gjatë natës ishte saktësisht 25.3 gradë Celsius.
Sipas meteorologut të MeteoSwiss, ende nuk ekziston një emërtim specifik meteorologjik për netët gjatë të cilave temperatura mbetet mbi 25 gradë.
Të dhënat e kësaj vere tregojnë për intensitetin e temperaturave të larta që po prekin veçanërisht kantonin Ticino dhe pjesën jugore të Zvicrës.
The post Locarno thyen rekordin zviceran për netët tropikale appeared first on Albinfo.
Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



