Lumir Abdixhiku përballë thirrjes për shkarkim: "Do të hyj në Kuvend me bindje dhe besim"

Lumir Abdixhiku përballë thirrjes për shkarkim nga LDK-ja
Lumir Abdixhiku, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka reaguar para mbajtjes së Kuvendit të Jashtëzakonshëm të partisë, i cili është thirrur me kërkesë për shkarkimin e tij nga pozita e kryetarit.
Në një postim në rrjetet sociale, Abdxhiku ka theksuar se ky është Kuvendi i katërt gjatë pesë viteve të udhëheqjes së tij në LDK, duke shtuar se në tri raste të mëparshme ka kërkuar vetë besimin e anëtarësisë. “Kam thirrur Kuvendin e Jashtëzakonshëm të LDK-së. Siç ma kërkuan, për shkarkimin tim. Në pesë vite si Kryetar, ky është Kuvendi im i katërt. Në tri prej tyre, kam dalë vetë para anëtarësisë dhe kam kërkuar besimin e saj”, ka shkruar ai.
Ai ka vlerësuar se procesi i nisur për shkarkimin e tij është i panevojshëm dhe i dëmshëm për partinë. “E kam konsideruar këtë Kuvend të panevojshëm, të pakohë, të pavend. Si proces të njëanshëm e konsideroj të dëmshëm; e konsideroj dhe përçarës. Jo për fatin tim individual, por për plagët që veçse ia ka lënë LDK-së”, ka deklaruar Abdxhiku.
Megjithatë, lideri i LDK-së ka theksuar se do ta respektojë vendimin e strukturave të partisë, duke shtuar se demokracia duhet pranuar edhe kur rezultatet nuk përputhen me bindjet personale. “Demokracia këtë ka. Si të tillë, më duhet ta pranoj. Edhe kur nuk më duket e drejtë. Unë e respektoj demokracinë; sepse e besoj. Prandaj ballafaqohem”, ka thënë ai.
Abdxhiku i ka bërë thirrje delegatëve të LDK-së që të marrin pjesë në Kuvend dhe të qëndrojnë në mbështetje të tij. “Unë do të hyj në këtë Kuvend me bindje, me qetësi dhe me besim të plotë tek njerëzit tanë. Dhe në këtë rrugëtim, do të qëndroj. Sepse përveç bindjes s’kam asgjë tjetër”, është shprehur ai.
Ai ka kërkuar nga delegatët që të “qëndrojnë”, duke thënë se Kuvendi mund të shërbejë për të sjellë qartësi për të ardhmen e LDK-së. “Qëndroni, sepse, ndonëse ky nuk është Kuvendi që kam kërkuar, ai mund të bëhet Kuvendi që i jep LDK-së atë që i ka munguar më së shumti, qartësinë. Qartësinë se kjo shtëpi e madhe e demokracisë është veç e anëtarësisë”, ka shkruar ai.
Kuvendi i Jashtëzakonshëm i LDK-së pritet të mbahet më 30 korrik, ku delegatët do të votojnë lidhur me të ardhmen e udhëheqjes së partisë. “Të enjten, më 30 korrik, përcaktojmë LDK-në. Pas saj, le të përcaktojmë Republikën”, ka përfunduar Abdxhiku.
Me pak fjalë
Lumir Abdixhiku përballet me një Kuvend të Jashtëzakonshëm të thirrur për shkarkimin e tij nga LDK-ja. Ai e quan procesin e panevojshëm dhe të dëmshëm, por premton se do ta respektojë vendimin e partisë. Abdixhiku i bën thirrje delegatëve të qëndrojnë në mbështetje të tij dhe shpreson që Kuvendi të sjellë qartësi për të ardhmen e LDK-së.
Personat e përmendur
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



