“Marshi për drejtësi” në Gjenevë hap aktivitetin kushtuar të zhdukurve me dhunë

Dielli po ngjitej në zenit, në një ditë tipike me vapë të këtij fundi të gushtit ndërsa një kolonë e larmishme shqiptarësh, zviceranësh dhe të tjerësh po bëhej gati të niste “Marshin për drejtësi” nëpër rrugët e Gjenevës. Nisjes së saj i parapriu fjala përshëndetëse e ish kryetarit të qytetit të Gjenevës, Remy Pagani, i cili përkujtoi rëndësinë e ditës ndërkombëtarëve të të zhdukurve me dhunë dhe traditën humanitare të qytetit të Gjenevës.
“Marshi…” ishte pika kryesore e aktivitetit shumëplanësh të organizuar në shenjë të 30 Gushtit, që prej vitesh është futur në kalendarin zyrtar të organizatave ndërkombëtare si Ditë Ndërkombëtare e të Zhdukurve me Dhunë.
Në krye të këtij organizimi që këtë vit ka edicionin e tij të dytë, është shoqata kulturore “Dora D`Istria” me seli në Gjenevë, gjegjësisht kryetarja e saj, Mirishahe Hiler Limani. Pas punës së mirë që bëri vitin e kaluar, kësaj nisme ju bashkuan edhe një numër shoqatash, subjektesh dhe individësh të tjerë, nga Gjeneva dhe më gjerë.
Marshi për drejtësi mori rrugën prej rreth dy kilometrash me “stacion” të fundit sheshin para Organizatës së Kombeve të Bashkuara, gjegjësisht “karrigen e thyer”, të famshme në mes të këtij sheshi. Kolona përbëhej nga aktivistë, shqiptarë, zviceranë dhe të komuniteteve të tjera. Ai udhëhiqej nga ministri në detyrë në Qeverinë e Kosovës, z. Andin Hoti dhe një numër përfaqësuesish të institucioneve të Kantonit, qytetit dhe komunave të Gjenevës.
Anëtarë të shoqërive kulturore shqiptare të Gjenevës dhe qyteteve të tjera me kostumet e bukura kombëtare si dhe anëtarët e klubit të motoristëve shqiptarë “Shqiponja” i shtonin koloritin kësaj kolone.
Ndërkohë që kolona po afrohesj, në sheshin para selisë së OKB-së tashmë po zhvillohej performanca artistike kushtuar të zhdukurve me dhunë në luftën e Kosovës, përgatitur nga artisti Ramë Dardania. Ai kishte bërë një gjetje interesante artistike duke grumbulluar veshmbathje, gjësende dhe lodra fëmijësh që simbolizonin dhimbjen për mungesën e atyre që lufta i mori. Atmosferën e rëndë të asaj që sugjeronte skena e performancës e përforconte edhe interpretimi me lahutë i lahutarit Ibrahim Gjaferaj. Një skenë që transmetonte emocione ngjethëse nga lufta dhe tragjeditë që sjell ajo.
Kolona tani ka ardhur në shesh dhe është koha për të dhënë mesazhin e aktivitetit. Folës të shumtë, duke filluar nga ministri Hoti dhe kryeparlamentarja e Kantonit dhe Republikës së Gjenevës morën fjalën dhe theksuan rëndësinë e ditës së të zhdukurve me dhunë, gjegjësisht nevojën të ruhej kujtesa për të zhdukurit, si një mundësi për zbardhjen e fatit të tyre.
Drejtimin e programit e ka bërë Lisa Mazzone, kryetare e të gjelbërve të Zvcirës, politikane e njoihur në nivel nacional dhe anëtare e këshillit për organizimin e këtij aktiviteti.
Si folësi i parë, ministri për punë, familje dhe vlera të luftës çlirimtare, Andin Hoti, ka theksuar veç tjerash se fliste në radhë të parë në cilësinë e të birit të një të zhdukuri me dhunë, ikonës së rezistencës shqiptare, Ukshin Hotit.
Fjalën e ka marrë pastaj kryeparlamentarja e Kantonit dhe Republikës së Gjenevës, zonja Dilar Baryak. Pas saj ka folur kryetarja e Qytetit të Gjenevës, zonja Christina Kitsos, Atdhe Hetemi, drejtor i Institutit për krimet e luftës në Kosovë dhe kryetarja e Komunës së Meyrinit,, politikania me rrënjë shqiptare, zonja Xhevrije Osmani.
Për rëndësinë e shënimit të Ditës së të Zhdukurve me Dhunë kanë folur edhe përfaqësues nga komunitete tjera që jetojnë në Gjenevë, që përballen me plagën e të zhdukurve. Në emrin e komunitetit argjentinas ka folur Patricia Peres Catan, në emrin e komunitetit ukrainas Irena Parfeniuk etj.
Folësit tregonin për përvoja të ndryshme të komuniteteve të tyre me zhdukjen me dhunë, përvoja dhe rrëfime që lidheshin në një pikë: nevojën për të mos harruar viktimat sepse, “Përderisa i kujtojmë, ata jetojnë”, siç e thotë edhe motoja frymëzuese e aktivitetit që sivjet po mbahet për herë të dytë në Gjenevë.
Pas Marshit për Drejtesi, në orët embrëmjes do të mbahet një mbrëmje përkujtuese kushtuar Ukshin Hotit, njërit ndër personat e zhdukur më të njohur të luftës në Ksove. Me këtë rast, Sébastien Gricourt do të prezantojë librin “Bisedë përmes grilave” (Conversation à travers les barreaux) që pasqyron letërkëmbimin në mes të Ukshin Hotit dhe OIsmail KAdresë, në vitet `90.
The post “Marshi për drejtësi” në Gjenevë hap aktivitetin kushtuar të zhdukurve me dhunë appeared first on Albinfo.
Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



