Mblidhet Asambleja e PS së Tiranës, Veliaj: Të përgatitur për fitoren në zgjedhjet e 2025

Welcome to Kosova Today

Në mbledhjen e Asamblesë së Partisë Socialiste të Tiranës, drejtuesi Politik i Qarkut, Erion Veliaj, falenderoi strukturën e PS-së në kryeqytet për punën e mirë dhe realizimin me sukses të procesit të anëtarësimit të sa më shumë të rinjve të talentuar në familjen socialiste. Veliaj tha se pa përkushtimin e anëtarëve të vjetër të Partisë […]

Mblidhet Asambleja e PS së Tiranës, Veliaj: Të përgatitur për fitoren në zgjedhjet e 2025

Në mbledhjen e Asamblesë së Partisë Socialiste të Tiranës, drejtuesi Politik i Qarkut, Erion Veliaj, falenderoi strukturën e PS-së në kryeqytet për punën e mirë dhe realizimin me sukses të procesit të anëtarësimit të sa më shumë të rinjve të talentuar në familjen socialiste. Veliaj tha se pa përkushtimin e anëtarëve të vjetër të Partisë Socialiste, suksesi nuk do kishte qenë kaq i madh.

“Jam i gëzuar jo vetëm për anëtarësimet e reja dhe cilësinë e tyre, por edhe për faktin se sfida ka qenë e vështirë dhe kryetarët tanë, sidomos koleget vajza, arritën ta mbyllin sukses këtë detyrë, madje duke tejkaluar pritshmëritë. Prandaj, meritojnë gjithë respektin tonë”, tha Veliaj. Sipas tij, shumica e anëtarëve të rinj të bashkuar në Partinë Socialiste janë me energji të re dhe ide të reja.

“Sa herë mendoj për çështjen e anëtarësimeve të reja, mendoj se duhet të jetë edhe një anëtar i vjetër që e mundëson anëtarësimin e një të riu. Duhet të jetë edhe dikush që e mban portën hapur të tjerët. Ndaj, këtë mirënjohje speciale e kam për të gjithë socialistët e vjetër, ata që më mundësuan mua të futem dhe të ndihem si i shtëpisë, dhe ata që i mundësuan çdo djali dhe vajze të re që të futet në partinë tonë. Pa socialistët e vjetër ne nuk mund ta kishim këtë hapje. Pa mirëkuptimin e atyre që e kanë themeluar këtë parti, ne nuk do e kishim këtë anëtarësim të ri. Pa gatishmërinë e tyre, pa botëkuptimin e tyre, që është gjithmonë mirë për familjen të rritet, ne nuk e do e kishim këtë prurje të jashtëzakonshme në partinë tonë”, tha Veliaj.

Ai nënvizoi se anëtarësimet e reja është e rëndësishme të jenë njerëz me integritet dhe të gëzojnë respektin e komunitetin ku jetojnë e punojnë. “Nëse do të doja të kishim një busull, pavarësisht kritereve bazë për moshën, vendbanimin dhe vendin e votimit, për ata që do të na drejtojnë duhet të jetë edhe një kriter i pashkruar: të kenë integritet, të jenë të besueshëm, të kenë admirimin dhe respektin e komunitetit, dhe të sigurohemi që atë integritet ia veshin integritetit të PS. Epërsia numerike nuk diskutohet sepse ne sot jemi fitimtarë në këtë qark dhe nëse mbledhim edhe zgjedhjet e fundit, jemi mbi 50%. Do të thotë jemi më shumë se sa të gjithë të tjerët bashkë, por unë besoj se ne duhet të fitojmë çmimin e parë edhe në integritet dhe ashtu siç kemi numrat, të kemi edhe cilësinë e fitores sonë”, tha ai.

Veliaj ftoi të gjithë ata që e ndiejnë se mund t’i shërbejë vendit, të kandidojnë për kryetarët e organizatave të PS-së. Ai tha se përzgjedhja e tyre është e rëndësishme, në mënyrë që të komunikohen nevojat e komuniteteve dhe investimi të shkojë aty ku duhet. Sipas tij, këto zgjedhje janë një ushtrim për lidershipin e partisë, për anëtarët e asamblesë, që të shohin një zonë, përtej zonës së tyre, të japin një mendim më shumë, përtej atyre që japin në rutinën e tyre të përditshme.

“Shumë organizata, të cilat kanë pasur një mënyrë dhe vetëm një fije komunikimi, pra vetëm me një drejtues, i cili mund të jetë deputeti ose deputetja, anëtari i Këshillit Bashkiak ose një përfaqësues i organizatës së tyre, të kenë edhe një kontakt tjetër. Për të kuptuar se partia është pak më e madhe se thjesht ai grumbulli i vogël që mblidhet në një lagje. Në secilin prej komuniteteve tuaja kemi gjetur një djalë apo një vajzë, një president shkolle, një ekselent, dikë që vjen nga punët private dhe s’ka pikë nevoje e lidhje me shtetin, çka e bën partinë tonë më të fortë, më të lidhur, e na bën ne më dinjitozë, teksa komunikojmë në mënyrë të njëtrajtshme, nga qendra e Tiranës deri në periferinë e qarkut tonë të madh”, u shpreh Veliaj.

Drejtuesi politik për qarkun e Tiranës tha se familja e madhe socialiste e ka nisur punën përgatitore që tani për zgjedhjet e 2025. “Në disa raste do të kemi rikonfirmime sepse dikush ka dhënë një rezultat të mirë, ka energji, ka dëshmuar se ka integritet, që di të ndërthurë të dy brezat, edhe socialistët e vjetër, edhe prurjet e reja, ka zell dhe ka mendje të hapur për partinë. Sigurisht, aty ku kemi pasur humbje, edhe humbje të pashpjegueshme apo rezultate në rënie, nuk janë shumica, por ndoshta ky është momenti për ta lënë stafetën. Ky është momenti që të besojmë një njeri të ri në ato organizata ku ndoshta ka më shumë energji, më shumë kontakte, më shumë integritet dhe gjithashtu, më shumë dëshirë angazhimi dhe të sigurohemi që në vitin e ardhshëm të dalim me një rezultat edhe më premtues”, tha Veliaj.

Sipas tij, nëse rezultatet e votimeve të fundit në Qarkun e Tiranës mblidhen bashkë, fitorja është e sigurt. “Megjithatë, ky do ishte edhe gabimi ynë më i madh. Arroganca do ishte armiku i dytë më i madh, kurse mendjemadhësia do të ishte armiku i tretë më i madh. Sa herë kemi thënë që fitoren e kemi në xhep, aty kemi dështuar. Sa herë që e kemi kuptuar se në fakt fitorja është jashtë kësaj dhome, te kutia e votimit, që mblidhet me pasionet dhe ambiciet e njerëzve të kësaj dhome, vetëm atëherë kemi fituar. Koha më e mirë është tani për të kryer të gjitha këto punë të shtëpisë, dhe për të shkuar si një ushtri e disiplinuar dhe e organizuar në shtator. Në dallim nga të tjerët ne duhet të jemi gati dhe duhet të kemi përgatitur të gjithë infrastrukturën tonë zgjedhore dhe gjithë djemtë dhe vajzat që do të jenë në terren, për të komunikuar mesazhin për mandatin e Partisë Socialiste, kryeministrit Edi Rama dhe projekteve dhe ëndrrave që ne kemi për qarkun tonë. Ky është edhe shpjegimi pse po fillojmë më herët dhe pse po i bëjmë gjithë këto përgatitje në pranverë, për t’u siguruar që fundi i verës dhe vjeshta na gjen në një situatë shumë herë më optimale se sa ishim pa këta anëtarë të rinj dhe pa këto zgjedhje të reja”, theksoi Veliaj.

Nga ana e tij, sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi përgëzoi strukturën e partisë së Tiranës, teksa tha se është një nga strukturat që prodhoi më shumë volum në gjithë punën që u bë për fazën e dytë të rienergjizimit të Partisë Socialiste. “Në fazën e dytë, në të gjithë Shqipërinë ne ia dolëm që të anëtarësonim në strukturat e Partisë Socialiste plot 29,255 anëtarë të rinj, duke shënuar një përmirësim strukturor të të gjithë strukturës partiake në çdo qelizë të Partisë Socialiste”, përfundoi Klosi.