Sa të mbrojtur janë zviceranët nga dezinformimi?

Sa të mbrojtur janë zviceranët nga dezinformimi?

Një studim i Universitetit të Cyrihut tregon se një pjesë e konsiderueshme e popullsisë zvicerane mbetet e cenueshme ndaj dezinformimit, ndërsa gazetaria cilësore konsiderohet një nga mbrojtjet kryesore kundër lajmeve të rreme.

Sipas studimit të Qendrës Kërkimore për Sferën Publike dhe Shoqërinë (fög), 76,4 për qind e të anketuarve deklarojnë se ndeshen shpesh ose shumë shpesh me dezinformim në rrjetet sociale. Pas tyre renditen platformat e videove, me 59,8 për qind, dhe aplikacionet e komunikimit, me 44,4 për qind.

Luftërat dhe konfliktet ndërkombëtare janë temat ku qytetarët hasin më shpesh informacione mashtruese, të ndjekura nga politika ndërkombëtare dhe lajmet për personazhet e famshme.

Mark Eisenegger, profesor i studimeve të medias dhe komunikimit në Universitetin e Cyrihut, thekson se personat që konsumojnë pak ose aspak gazetari profesionale janë më të cenueshëm ndaj dezinformimit.

Studimi tregon se qytetarët përpiqen t’i verifikojnë informacionet duke kontrolluar burimet, duke konsultuar faqet zyrtare të autoriteteve dhe duke përdorur motorët e kërkimit. Megjithatë, vetëm 43,2 për qind deklarojnë se përdorin shpesh ose shumë shpesh faqe për verifikimin e fakteve.

Sipas Eiseneggerit, gazetaria cilësore, si ajo e medieve publike ashtu edhe e medieve private, është thelbësore për mbrojtjen e demokracisë nga dezinformimi. Ai paralajmëron se shkurtimet në mediet publike mund ta dobësojnë këtë rol.

The post Sa të mbrojtur janë zviceranët nga dezinformimi? appeared first on Albinfo.


Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.