Mërgimtarët me apel për partitë politike: Të shmangen bllokadat dhe të formohen institucionet

Mërgimtarët me apel për partitë politike: Të shmangen bllokadat dhe të formohen institucionet

Dyert e Kuvendit të Kosovës të hënën u hapën për bashkatdhetarët, të cilët u njoftuan nga afër me organin legjislativ të vendit. Të njëjtit u pritën nga kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu si dhe deputetë të zgjedhur nga LVV-ja dhe PDK-ja.

Mërgimtari nga Gjermania, Selatin Tahiri, tha se është një ndjenjë e veçantë për të qenë në sallën plenare të Kuvendit, derisa iu bëri thirrje partive politike që të gjejnë një zgjidhje për të formuar institucionet e vendit.

“Kjo është ndjenjë e veçantë, pasi Parlamenti i Kosovës është një objekt ku merren ligje, ku shteti funksionon përmes parlamentit, përmes ligjeve, përmes kësaj strukture politike. Bllokada është shumë, nuk di si ta quaj, nëse e quaj skandaloze. Nuk ka pasur nevojë, e panevojshme të bëhet një bllokadë e tillë, kur të gjithë jemi shqiptarë, të kuptojmë të mirën e vetvetes dhe ta kemi një shtet, për të cilin do të krenohet e gjithë Evropa, të gjitha vendet e tjera. Po ndodhi kjo që ndodhi”, tha ai.

Mërgimtari tjetër nga Austria, Ibush Ferati, tha se vizita në Kuvend lidhet me të ardhmen e fëmijëve dhe gjeneratave të reja.

“Sot e kam marrë bashkëshorten edhe nanën këtu. E kam një emocion shumë të madh, pasi jemi një republikë e re dhe mendojmë me u zhvillu si shtet. Çdo shqiptar, pa marrë parasysh partinë politike, unë besoj që çdo parti politike e jona shqiptare është për shtetin tonë. Unë e kisha bërë si apel, pasi e kam marrë edhe çikën e vogël, se ardhmëria jonë veç në shtetin tonë është”, shtoi ai.

Ndërkaq, mërgimtari Dinë Hoti, i cili kishte ardhur në Kosovë nga Kanadaja, kërkoi që diaspora të ketë përfaqësues në Kuvendin e Kosovës.

“E kam një pyetje shumë të thjeshtë, si për pozitën ashtu edhe për opozitën. Ne, diaspora, ku e kemi vendin në Kuvend? Unë besoj që e kemi dhënë maksimumin dhe jemi duke dhënë vazhdimisht. Diasporës i takon t’i ketë deputetët e vet në parlament. Ngelëm njëherë me një parti, herë me një tjetër si patericë”, theksoi Hoti.

Mërgimtarët i priti edhe ushtruesja e detyrës së presidentit, njëherësh kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu.

Ajo përmendi rolin e mërgatës në shumë procese të vendit.

“Mua po më vjen mirë që numri i bashkatdhetarëve që vijnë në Kosovë, përfshirë edhe këtë vit, është shumë i lartë. Po më vjen mirë që nuk e harroni Kosovën edhe në procese të rëndësishme, siç janë ato zgjedhore, që pavarësisht pengesave dhe burokracive mund t’i keni ju ose vini fizikisht, ose votoni në ambasada, ose përmes postës. E di se janë disa në Kosovë që nuk duan që ju të jeni pjesë aktive e zhvillimeve të brendshme, por mos u dekurajoni, pasi s’ka kush ju ndal”, tha ajo.

Po ashtu, mërgimtarët i priti edhe deputeti i zgjedhur i PDK-së, Mërgim Lushtaku, i cili tha se mërgata është e rëndësishme në konsolidimin e shtetit të Kosovës.

“Çdo aktivitet institucional që ka të bëjë me bashkatdhetarët tanë është i rëndësishëm, pasi mbi të gjitha mërgata dhe populli i saj janë një. Sigurisht që bashkërisht kemi qenë në kohët më të vështira, sikur në mbështetjen e luftës dhe shtetndërtimin e vendit. Ata janë ambasadorët më të mirë të vendit tonë. Aty ku nuk mbërrin ambasada dhe fjala e një politikani, mbërrin dora e një shqiptari punëtor, biznesmeni shqiptar që ka arritur me mund dhe sakrificë. Ne, si qytetarë të këtij vendi dhe pastaj edhe si politikanë, jemi shumë krenarë për mërgatën tonë. Sigurisht, këtë mërgatë nuk është mirë ta kemi vetëm në kohën e zgjedhjeve, por t’i mirëmbajmë kujdesin dhe komunikimin, që të ndërtojmë ura të bashkëpunimit dhe krijojmë edhe ambasadorë të vullnetit të mirë”, përfundoi ai.

Kuvendi do të jetë i hapur për mërgimtarët deri më 12 gusht.


Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.