Ministri i Drejtësisë Jeton Shasivari kujton Akademik Esat Stavilecin: 11 vjet pa Profesorin, por ende me zërin e tij

Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari ka kujtuar akademikun Esat Stavileci.
“Për mua, Prof. Esat Stavileci nuk ishte vetëm një nga figurat më të shquara të Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës. Ishte profesori që më mësoi, gjatë studimeve të magjistraturës, se drejtësia nuk është vetëm profesion, por mision; se dija ka vlerë vetëm kur përcillet me përkushtim, ndërsa fjala publike duhet të mbështetet gjithmonë në argument.
Sot, 11 vjet pas ndarjes së tij nga jeta, fjalët e testamentit të tij intelektual tingëllojnë po aq të fuqishme:
“Në jetë bën vetëm atë që duhet të bësh, mos bën atë që s’duhet të bësh!”
Kjo ishte një nga porositë e tij të fundit dhe, njëkohësisht, një përmbledhje e filozofisë së tij të jetës.
Prof. Stavileci na mësoi të ecim “hap pas hapi”, të mos kalojmë në faqen e dytë pa e mësuar të parën, të mos kemi frikë të flasim kur duhet të flasim, por edhe të dimë të heshtim kur nuk e kemi fjalën. Na mësoi se drejtësia nuk duhet të shtrembërohet, se ndërgjegjja e pastër e juristit ia zbardh fytyrën drejtësisë dhe se është më e rëndësishme të jetosh për drejtësi sesa vetëm prej saj.
Mbi të gjitha, ai besonte te puna, te ndershmëria, te dija dhe te brezat që vijnë pas nesh.
“Le pas vetes” studentë e studiues që do ta vazhdojnë rrugën – kjo ishte një nga dëshmitë më të bukura të përkushtimit të tij ndaj arsimit universitar.
Si student dhe asistent i tij, e kam pasur privilegjin të mësoj jo vetëm shkencë juridike, por edhe një mënyrë të të menduarit: me maturi, me argument, me përgjegjësi dhe me dashuri për drejtësinë.
Sot, kujtimi për Profesorin është edhe një thirrje për ta dëgjuar ende zërin e tij:
“E nesërmja është e juaja dhe mos ia falni askujt tjetër!”
Profesor, 11 vjet pas ndarjes suaj nga jeta, porositë tuaja vazhdojnë të jetojnë te studentët, te kolegët dhe te të gjithë ata që patën fatin t’ju njohin.
Kujtimi për Ju mbetet i pashlyer.”, ka shkruar Shasivari. (INA)
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



