Mjekësia ligjore konstaton se viktimat në Koçan vdiqën nga asfiksia

Drejtori i mjekësisë ligjore në Maqedoninë e Veriut, Aleksandar Stankov në një konferencë për media të premten ka njoftuar se të gjitha viktimat nga zjarri që shpërtheu në klubin e natës në Koçan vdiqën nga asfiksia që u shkaktua drejtpërdrejt nga zjarri. Ai bëri të ditur se ekspertët e mjekësisë ligjore, patologjisë dhe ekipe nga […] The post Mjekësia ligjore konstaton se viktimat në Koçan vdiqën nga asfiksia appeared first on Albinfo.

Mjekësia ligjore konstaton se viktimat në Koçan vdiqën nga asfiksia

Drejtori i mjekësisë ligjore në Maqedoninë e Veriut, Aleksandar Stankov në një konferencë për media të premten ka njoftuar se të gjitha viktimat nga zjarri që shpërtheu në klubin e natës në Koçan vdiqën nga asfiksia që u shkaktua drejtpërdrejt nga zjarri.

Ai bëri të ditur se ekspertët e mjekësisë ligjore, patologjisë dhe ekipe nga Ministria e Brendshme morën pjesë në kryerjen e autopsisë për 59 viktimat.

“Disa nga viktimat kishin djegie të shkallës së parë dhe të dytë, por tre persona kishin edhe djegie të shkallës së katërt. Katër persona kishin pësuar thyerje të brinjëve dhe u asfiksuan teksa po tentonin të iknin”, tha Stankov.

Stankov ka treguar edhe për metodat e përdorura për identifikimin e viktimave. Tha se janë përdorur dy metoda për të identifikuar viktimat, përmes ADN-së dhe analizimit të shenjave të gishtërinjve. Megjithatë, Stankov tha se ishte e pamundur që të analizonin shenjat e gishtërinjve të katër viktimave, prandaj ata u identifikuan përmes ADN-së.

“Aktualisht po kryhen analiza toksikologjike për të përcaktuar se çfarë gjendej në gjakun e viktimave, edhe pse sipas gjetjeve mikroskopike gjatë kryerjes së autopsive, shumica e tyre kishin monoksid karboni”, tha Stankov.

Autoritetet thanë se raportet e të gjitha autopsive të kryera do të kompletohen gjatë këtij muaji, por analizat toksikologjike mund të marrin më shumë kohë.

“Nga 59 autopsitë e kryera, 70 për qind e viktimave ishin nga 16 deri në 29 vjeç, 16 ishin gra dhe 43 burra. Nuk dua të hyj në detaje pasi nuk janë kryer të gjitha analizat, por ka pasur viktima me thyerje të brinjëve dhe shenja të presionit që kanë çuar në asfiksi”, tha Stankov.

Të paktën 155 njerëz janë lënduar në këtë incident, transmeton albinfo.ch.

The post Mjekësia ligjore konstaton se viktimat në Koçan vdiqën nga asfiksia appeared first on Albinfo.