Murati i kundërpërgjigjet Grudës: Ligjin për buxhetin ka të drejtë ta dorëzojë Qeveria në detyrë
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati i është përgjigjur deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda i cili në një emisionin tha se nuk do të marrin pjesë në seancën e orës 11 për shkak se sipas tij, është antikushtetuese. Murati ka thënë se Gruda nuk i bën nder profesionit të juristit nëse


Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati i është përgjigjur deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda i cili në një emisionin tha se nuk do të marrin pjesë në seancën e orës 11 për shkak se sipas tij, është antikushtetuese.
Murati ka thënë se Gruda nuk i bën nder profesionit të juristit nëse në shërbim të agjendës partiake keqinterpreton dispozitat e Ligjit për Qeverinë.
“Në nenin 31 të Ligjit për Qeverinë, ku flitet për Kufizimet e Qeverisë në dorëheqje, paragrafi 2 (tek neni për kufizimet) qartësisht e thotë që Qeveria në dorëheqje ka të drejtë t’i propozojë Kuvendit për miratim Ligjin e Buxhetit. Por meqenëse Qeveria Kurti është Qeveri në detyrë e jo në dorëheqje, ligji është përkujdesur edhe për këtë. Në paragrafin 5 të nenit 31 sqarohet që të njëjtat kushte e kufizime vlejnë edhe për Qeverinë të cilës i ka përfunduar mandati i rregullt, sikurse në rastin e Qeverisë Kurti”, ka shkruar ai.
Sipas tij, është kristal e qartë që Ligjin e Buxhetit ka të drejtë ta dorëzojë në Kuvend edhe Qeveria në detyrë sipas paragrafit 5 dhe paragrafit 2 të nenit 31 të ligjit për Qeverinë.
“Por, le ta lëmë anash ligjin për një moment dhe t’i kthehemi Kushtetutës, bazës mbi të cilën funksionon Republika jonë. Përderisa Qeveria, Presidentja, dhe deputetët kanë të drejtën e propozimit të projektligjeve për miratim në Kuvend, një ligj specifik është e drejtë ekskluzive e Qeverisë – Ligji i Buxhetit. Neni 93, paragrafi 5 i Kushtetutës, e parasheh në mënyrë eksplicite që Qeveria e vetme ka kompetencën për të propozuar Buxhetin e Republikës së Kosovës. Me fjalë tjera, nëse nuk e propozon Qeveria Buxhetin para Kuvendit, atëherë s’ka kush tjetër ta propozojë”, ka shkruar ai.
Murati ka shkruar se Kushtetuta nuk bën dallim se çfarë statusi ka Qeveria: fuqiplotë, në dorëheqje, apo në detyrë, kur bëhet fjalë për propozimin e Buxhetit para Kuvendit. Sipas tij, buxheti propozohet nga Qeveria. Kjo pasi ka deklaruar se shteti nuk guxon të mbesë pa buxhet e në vakuum, “veç se nuk ka kush e propozon buxhetin, dhe për pasojë shteti të mbarojë së funksionuari”.
“Prandaj është mirë që të gjitha partitë opozitare të reflektojnë dhe t’i lënë anash inatet politike e të vijnë në seancë e t’i votojnë pikat e rendit për buxhetin e vitit 2026, buxhetin për 3 komunat që janë vonuar, marrëveshjet ndërkombëtare, si dhe buxhetin për RTK-në. Fundja, ju nuk po ia votoni buxhetin Qeverisë Kurti, por po ia votoni punëtorëve që marrin paga, pensionistëve që marrin pensione, fëmijëve që marrin shtesa, e shumë e shumë qytetarëve të kësaj Republike të cilët varen nga buxheti”, ka thënë ai.
Gruda sërish i është përgjigjur përmes një statusi në Facebook. Ai ka thënë se Murati po e citon saktë ligjin, por nuk po e kupton.
“Po, paragrafi 5 i nenit 31 të Ligjit për Qeverinë thotë se të njëjtat KUFIZIME vlejnë edhe për qeverinë në detyrë (çfarë është qeveria e tanishme). Por e drejta për të dërguar ligjin për buxhetin në Kuvend, e cila i lejohet vetëm qeverisë në dorëheqje dhe jo asaj në detyrë, nuk është KUFIZIM, por PERJASHTIM, siç është përcaktuar në paragrafin 2 të nenit 31 të Ligjit për Qeverinë. Pra, interpretimi i drejtë i nenit 31 është ky: KUFIZIMET vlejnë për qeverinë në detyrë, ndërsa e drejta për të dërguar buxhetin është një PERJASHTIM që i takon vetëm qeverisë në dorëheqje. Po i jap këtu të nënvizuara paragrafët përkatës, le t’i lexojë secili vetë”, ka shkruar ai.

