Numërohen 78 përqind e votave për deputetë- KQZ tregon procedurat deri në shpalljen e rezultateve përfundimtare
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se numërimi i votave të kandidatëve për deputetë po shkon drejt fundit. Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në një konferencë për gazetarë, ka deklaruar se deri sot në orën 16:00, janë numëruar rreth 78 përqind e vendvotimeve. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) është duke vijuar me procesin e numërimit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se numërimi i votave të kandidatëve për deputetë po shkon drejt fundit. Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në një konferencë për gazetarë, ka deklaruar se deri sot në orën 16:00, janë numëruar rreth 78 përqind e vendvotimeve.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) është duke vijuar me procesin e numërimit të votave dhe verifikimit të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në një konferencë për media ka bërë të ditur se përpara shpalljes së rezultateve përfundimtare duhet të përfundojnë disa procedura.
Ai ka sqaruar se KQZ është duke numëruar votat e kandidatëve për deputetë, si dhe duke verifikuar formularët e subjekteve politike të plotësuar në vendvotime.
Sipas të dhënave të fundit siç ka njoftuar Elezi, deri më 18 shkurt, ora 16:00, janë numëruar rreth 78% e vendvotimeve, ose 1,970 nga 2,533 qendra votimi. Ndërkohë, ka vijuar procesi i vlerësimit të pakove me fletëvotime të ardhura nga jashtë Kosovës, përmes postës.
Nga data 9 shkurt kur ka nisur ky proces, janë vlerësuar 28,099 pako me fletëvotime, prej të cilave: 26,013 janë aprovuar, 2,057 janë refuzuar, për shkak të shkeljeve si: votues të çregjistruar, mungesë e dëftesës së regjistrimit, ose dërgim i shumëfishtë i votave.
Në total, KQZ ka pranuar rreth 69,000 pako me fletëvotime, por numri i saktë i atyre që do t’i nënshtrohen numërimit do të dihet vetëm pas përfundimit të verifikimit.
Elezi ka theksuar se rezultatet përfundimtare do të shpallen vetëm pasi të përfundojnë të gjitha procedurat dhe të shqyrtohen ankesat nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) dhe Gjykata Supreme.
“Deri në shpalljen e rezultateve përfundimtare KQZ duhet të numërojë votat e kandidatëve për deputetë dhe të bëjë verifikimin e votave të subjekteve politike nga formularët që janë plotësuar në vendvotime, të bëjë numërimin e votave me kusht, personave me nevoja të veçanta, votat nga votimi jashtë Kosovës dhe pasi të vendoset për ankesat eventuale nga PZAP, Gjykata Supreme dhe pas përfundimit të të gjitha procedurave në qendrën e numërimit dhe rezultateve”, ka theksuar Elezi.