Popullariteti i kandidatëve për kryeministër tek elektorati i partive të tyre: Hamza i pari me 88,3 % të votave, Abdixhiku i dyti
Rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 9 shkurtit kanë nxjerr në mënyrë të saktë edhe popullaritetin e kandidatëve për kryeministër në mesin e elektoratit të partive të tyre. Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, në këtë aspekt qëndron më se miri. Ndonëse Hamza nuk është kryetar i partisë, ai ka arritur të jetë kandidati për
Rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 9 shkurtit kanë nxjerr në mënyrë të saktë edhe popullaritetin e kandidatëve për kryeministër në mesin e elektoratit të partive të tyre.
Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, në këtë aspekt qëndron më se miri.
Ndonëse Hamza nuk është kryetar i partisë, ai ka arritur të jetë kandidati për kryeministër më i pëlqyer brenda elektoratit të subjekteve të tyre politke, raporton Nacionale.
Nga196 mijë 474 vota sa ka marrë PDK-ja, Bedri Hamza është votuar nga 173 mijë 526 qytetarë. Shprehur në përqindje i bije se kandidati i PDK-së për kryeministër ka marrë 88.3 % e votave të elektoratit të PDK-së që kanë votuar më 9 shkurt.
Në vendin e dytë renditet kandidati për kryeministër i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Nga 171 mijë e 357 vota sa ka marrë LDK-ja, kryetari i LDK-së ka marrë 146 mijë e 401 vota të njerëzve që e kanë votuar këtë parti. Shprehur në përqindje, i bije se Abdixhiku ka marrë 85.5 për qind të votave të elektoratit të LDK-së.
Në vendin e tretë qëndron kryeministri aktual Albin Kurti.
Ndonëse kryetari i VV-së, shihet si figurë e pakontestuar në partinë e tij, zgjedhjet e 9 shkurtit kanë treguar se pelqyeshmerinë te elektorati i partisë e ka më të ulët se Bedri Hamza i PDK-së dhe Lumir Abdixhiku i LDK-së.
Nga 396 mijë e 787 votave sa ka marrë LVV-ja në zgjedhjet e muajit të kaluar, kandidati i VV-së për kryeministër, Albin Kurti, ka 337 mijë e 791 vota.
Nëse e shprehim në përqindje, i bije se Kurti ka marrë 85.1 për qind të elektoratit të LVV-së.
Në këtë aspekt, pas Kurtit renditet kandidati i AAK-së për kryeministër, Ramush Haradinaj.
Nga 66 mijë e 256 vota sa ka marrë koalicioni AAK-Nisma më 9 shkurt, lideri i AAK-së është votuar nga 44 mijë e 996 qytetarë. Llogaritur në përqindje, i bije se Haradinja ka marrë vetëm 67.9 për qind të elektoratit.
Pavarësisht nivelit të pelqyeshmerisë së kandidatëve për kryeministër brenda partive të tyre, asnjeri prej katër kandidatëve nuk është ndarë i kënaqur me numrin e votave që kanë marrë partitë e tyre në zgjedhjet e shkurtit.
Të gjithë kandidatët kanë bërë me dije se pritjet e tyre kanë qenë më të larta për 9 shkurti.
Pas shpalljes së rezultateve përfundimtare të Zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës nga KQZ-ja është hapur afati për ankesat e partive politike të cilat janë mbajtur më 9 shkurt të këtij viti.
Brenda afatit 48 orësh, subjektet politike kanë dorëzuar disa ankesa në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa,.
Sipas njoftimit të PZAP-së, në këtë institucion janë parashtruar 6 ankesa.
Tri prej tyre janë parashtruar nga një kandidat për deputet i PDK-së, dy nga Lëvizja Vetëvendosje dhe një ankesë është parashtruar nga koalicioni PDAK-LPB. Pjesa dërmuese e këtyre ankesave kanë të bëjnë me postë jashtë vendit.