“Projekti për pengimin e ndryshimeve dështoi”, Zeqiraj zbulon prapaskenat e krizës në LDK

“Projekti për pengimin e ndryshimeve dështoi”, Zeqiraj zbulon prapaskenat e krizës në LDK

Gjatë javës së kaluar u mbajt Kuvendi i jashtëzakonshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës, në të cilin Lumir Abdixhiku siguroi mbështetjen e delegatëve për të vazhduar drejtimin e partisë edhe për një mandat të ri. Votimi i dha fund përpjekjes për shkarkimin e tij dhe rikonfirmoi besimin e shumicës së delegatëve në udhëheqjen e tij.

Opinionisti Idriz Zeqriaj, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se LDK-ja ishte përballur me një krizë të thellë të brendshme, ku një grup i mbështetur nga PDK-ja synonte shkarkimin e Lumir Abdixhikut dhe pengimin e një koalicioni me LVV-në.

Zeqriaj thekson se Isa Mustafa kishte organizuar mbështetjen për thirrjen e Kuvendit, ndërsa Abdixhiku zgjodhi të përballej me votën e delegatëve, duke u bërë thirrje atyre të vendosnin sipas ndërgjegjes dhe interesit të LDK-së.

“Situata në LDK deri më 30 korrik ishte në krizën më të thellë, gjatë një dekade e gjysmë. Një grup të pakënaqurish, në hierarkinë partiake, të porositur dhe të mbështetur nga PAN-i, sidomos, nga PDK-ja, provuan ta bëjnë puçin mafioz, kundër kryetarit Lumir Abdixhikut dhe Lidershipit të tij.Qëllimi ishte kundërshtimi i koalicionit LDK-LVV dhe vazhdimi i aleancës politike me opozitën PAN-iste, kryesisht, PDK-në. Ky grupim ka punuar në mënyrë klandestine, të fshehtë, në amnistimin e krimit dhe të kriminelëve. Dhe, tani, synojnë rehabilitimin e plotë të gjithë atyre që kanë përgjakur LDK-në dhe Kosovën.

Grupi mafioz puçist, me kallauzin Isa Mustafa, kishte punuar gjatë kohë me delegatët e Këshillit të Përgjithshëm, duke ua marrë nënshkrimet për thirrjen e Kuvendit shkarkues të kryetarit.

Ndërkohë, Lumir Abdixhiku kishte pranuar sfidën e garimit në kutinë votuese, pa bërë asnjë parapërgatitje, asnjë nënshkrim të delegatëve. Thirrja e vetme e kryetar Abdixhikut, drejtuar delegatëve ishte: “Votoni sipas ndërgjegjes dhe vullnetit tuaj, duke pasur me parësi interesin e LDK-së dhe të Kosovës.”

Në ekspozenë sqaruese pse po bëhet ky “Kuvend i jashtëzakonshëm”, kryetar Lumiri ishte i saktë, i çiltër, i drejtpërdrejtë, por edhe qortues për bashkëpunëtorët e tij, dikur, të afërm, të cilët e kishin përzgjedhur dhe votuar në Kuvendin e 10-të”, ka thënë ai.

Sipas Zeqirajt, përpjekjet për të penguar bisedimet mes LDK-së dhe LVV-së si dhe për të shkarkuar Abdixhikun dështuan, pasi Kuvendi ia konfirmoi atij mandatin si kryetar.“ Projekti ogurëzi për pengimin e bisedimeve të filluara të LDK-së me LVV, si dhe pengimi i bashkimit dhe profilizimit të së djathtës të Kosovës dështoi. Kuvendi i thirrur për shkarkim, përkundrazi, e konfirmoi Dr. Lumir Abdixhikun serishmi për kryetar të LDK-së.

Kuvendi aprovoi vendimin se të gjitha çështjet partiake të bisedohen brenda strukturave të partisë dhe të mos bëhen objekt përfoljesh në “çarshi”.

Vendimet e organeve drejtuese të partisë, janë të obligueshme për zbatim, për të gjithë anëtarët e partisë.

Askush nuk ka të drejtë të flas në emër të partisë, pa qenë i autorizuar nga Lidershipi i LDK-së.

Palët në kundërshtinë e derisotme pranuan vendimet e Kuvendit dhe u zotuan për bashkimin e mirëfilltë, në interes të LDK-së dhe të Kosovës”, ka theksuar ai.

Reagimet e grupit të pakënaqur ishin tendencioze, madje edhe shpifëse, ndaj kryetarit dhe Lidershipit të LDK-së

Poashtu, ai pretendon se kërkesa për mbajtjen e Kuvendit nuk erdhi nga baza e partisë, por u nxit nga figura të caktuara brenda LDK-së, të mbështetura edhe nga media.

“Rrejshëm deklaruan se kërkesa për Kuvend shkarkimi vinte nga poshtë, nga baza. Kjo gënjeshtër u lansua, fillimisht, nga dy anëtarë Kryesie, klanorë të hershëm e besnikë të ish-kryetarit namkeq, Isa Mustafa. Kritikat u pasuan nga disa kryetarë komunash. Dhe, kulmuan nga disa deputetë arrivistë, të cilët e kanë mjelë LDK-në si lopën, ndër vite e dekada, me ofiqe partiake dhe qeveritare.

Këtyre tellallëve, qëllimisht, u dhanë hapësirë të bollshme mediat, të cilat i dominon PAN-i, kryesisht, PDK-ja, duke ua bërë edhe fushatën zgjedhore për deputetë.

I ndodhur para një fushate të egër, brenda partiake, unike në historinë e partive politike në Kosovë, kryetari Abdixhiku bëri thirrje të herëpashershme për mbledhjen e Kryesisë, por fjalamanët e “çarshisë” i bojkotonin ato! Madje, ndoca syresh, me urdhër të kallauzit të tyre, Isa Mustafa, dhanë dorëheqje nga Kryesia e LDK-së, me qëllim të dramatizimit dhe të thellimit të krizës në parti!”, ka shtuar ai.

Sipas tij, pavarësisht kritikave dhe sfidave, LDK-ja do të mbetet një nga shtyllat kryesore të skenës politike në Kosovë.

“Pala mbrojtëse, sidomos kryetar Lumiri, i ndodhuri i papërgatitur nga breshëria e akuzave paushalle dhe aspak të bazuara në fakte, reagoi me përgjigje, goxha, të ashpra kundra-akuza, deri në përmasën që kalonin standardin e kryetarit.

Llumhania e disa analistë-banalistëve të përnatshëm, me reprizë ditën e nesërme, iu bashkuan fushatës së turpshme, qëllimkeqe, duke dëshiruar rrënimin, deri në shuarje të LDK-së.

Megjithatë, kjo nuk do të ndodhë, sepse LDK-ja ka qenë dhe do të mbetet shtyllë kurrizore e skenës politike të Kosovës, nga e cila ka mësuar edhe rajoni ballkanik. Andaj, pavarësisht ngritjeve dhe rënieve, ajo do të gjejë forca , për ngritje dhe stabilizim të qëndrueshëm”, ka potencuar ai.

Tutje, ai e vlerëson si të drejtë vendimin për vazhdimin e mandatit të kryetarit deri në zgjedhjet e rregullta, duke theksuar se partia ka kuadro të përgatitura dhe profesionale për ta udhëhequr në të ardhmen.

“Tashmë, Kuvendi i çuditshëm “i jashtëzakonshëm”, i imponuar nga një grup, rrastë të shantazhuar nga PDK-ja, dha vërdiktin e duhur, madje të shumëpritur, jo vetëm nga LDK-ja, por edhe nga shqiptarët.

Konfirmimi për vazhdimin e mandatit të kryetarit Lumir Abdixhikut, deri në zgjedhjet e rregullta, në vitin e ardhshëm.

LDK-ja, si shtëpi akademike, ka kuadro të gatshëm, intelektualë dhe profesionalë, për të marrë përgjegjësinë në drejtimin e partisë të Presidentit Rugova”, ka cilësuar ai.

Në fund, Zeqirja shton se LDK-ja duhet të mbështetet te figura me integritet, përgatitje profesionale, përvojë dhe kontribut të dëshmuar, duke argumentuar se ato mund ta forcojnë partinë dhe t’ia rikthejnë besimin e qytetarëve.

“Por, do të shquaja një ekip të përzgjedhur, për të mirën e LDK-së: Vjosë Osmanin, Ukë Rugovën, ushtarakët Anton Quni e Fadil Hadergjonaj.

Dr. Vjosë Osmani ka një përgatitje supreme intelektuale, me personalitet dhe integritet të plotë, e dëshmuar në përballjet e shumta tej një dekade. Rebelimi i saj për ta sfiduar dhe larguar kryetarin e katapultuar nga PDK-ja, në kreun e LDK-së, Isa Mustafën ishte guxim qytetar dhe intelektual, pavarësisht pasojave.

Qëllimi i saj madhor, për ta larguar nga pushteti PAN-in kriminal, me “komandantët” e tij dhe patericën e tyre, klanin Mustafa, ka justifikuar në plotëni bashkimin e forcave me LVV. Sepse vazhdimi i sundimit të mëtejmë të PAN-it, me një barrë krimesh dhe hajnish, ishte cinizëm i pështirosur, provokim i rëndë për popullin e Kosovës dhe të shqiptarëve të kudondodhur.

Rikthimi i Vjosë Osmanit në shtëpinë e saj lindake politike, ishte i duhur dhe i pranueshëm në kohë dhe hapësirë. Dëshmi e kësaj mirëseardhje është nga 141 votues të LDK-së, tej 93 mijë syresh e votuan Vjosë Osmanin.

Dhe, kjo ndodhë pas gjithë asaj fushate shpifarake denigruese, të sinkronizuar të pozitës dhe të opozitës. Sulmi frontal kundër presidentes Vjosë Osmani ishte një paturpësi dhe rrugaçëri në shkallë kombëtare. Kosovës i duhen, të paktën, dy dekada, për ta përgatitur një Vjosë të dytë.

Ukë Rugova u bë kurban i babait të tij, Ibrahim Rugova. PAN-i, në pamundësi për ta hequr nga -Panteoni i Lavdisë- Presidentin Ibrahim Rugova në gjallje, djallëzisht dhe poshtërsisht, provoi goditjen pas amshimit, përmes fëmijëve të Tij.

Akuza e ngritur kundër Ukë Rugovës ishte në tërësi e sajuar. Shefat e PAN-it bënë shumë për denigrimin e fëmijëve të Rugovës, për ta goditur vet Rugovën. Madje, në mes tjerash, dhuruan edhe dy poste zëvendëskryeministri, pa pasur as Kryesi të partisë, lëre më anëtarësi!

Edhe pse zyrtarët e Ambasadës italiane i liroi nga akuza Gjykata italiane, për “Procesin vizat”, Ukë Rugova vazhdoi të mbetej peng i drejtësisë kosovare, sepse në “lojë” do ta fusnin motrën e Ukës, Teutë Rugovën. Ajo u veçua nga 120 deputetët, që ka Parlamenti Kosovë, shefat PAN-istë shenjëstruan viktimizimin e saj, për ta arnuar një qeveri fantomë të PAN-it.

Ishte një shantazh, ishte një krim unik. Megjithatë, Presidenti Rugova i mbijetoi edhe kësaj furtune kriminale e rrugaçërore të armiqve të Tij politikë.

Ukë Rugova ka një përgatitje intelektuale solide: i mençur, i dashur, komunikues dhe i matur, si trashëgimi biologjike të babait Ibrahim Rugova.

Të gjitha palët e LDK-së, thirrën në emrin e Rugovës. Por, nuk kanë bërë diçka të veçantë, për përkujdesjen e fëmijëve të Rugovës. Ata u lanë në mëshirën e fatit, për t`u bërë pre e profiterëve, të lidhur “këmbë e krye” me PAN-in.

Ukë Rugova vuajti shumë, vetëm pse ishte djali i Ibrahim Rugovës. LDK-ja nuk bëri “as lavrën e miut”, për ta denoncuar arsyen të vërtetë për ndëshkimit e tij. Pafajësia e vonuar, zvetënon drejtësinë. Një borxh i mbetur peng, është koha për t`u larë.

Ushtarakët Anton Quni dhe Fadil Hadërgjonaj, me përvojë dhe njohuri të bollshme drejtuese. Me traditë e korrektësi ushtarake, të cilët barazinë drejtuese e kanë normë. Për atdhetarizëm të provuar në fushë-betejat për çlirim dhe liri. Ata i japin sharmë, hijeshi dhe krenari partisë të Presidentit Rugova”, ka përfunduar Zeqiraj për “Bota sot”.


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.