Promovimi i librit "Drejtësia pa llogaridhënie" në Cyrih: Analizë kritike mbi Raportin Marty dhe Dhomat e Specializuara

Promovimi i librit "Drejtësia pa llogaridhënie" në Cyrih: Analizë kritike mbi Raportin Marty dhe Dhomat e Specializuara
Më 14 qershor 2026, në sallën e GZ Seebach në Cyrih, Shoqata PARANDALO organizoi promovimin e librit “Drejtësia pa llogaridhënie – Raporti Marty, Dhomat e Specializuara dhe deformimi i drejtësisë”, të autorit Ibish Neziri.
Ngjarja u shndërrua në një forum diskutimi mbi drejtësinë, kujtesën historike dhe trajtimin e luftës çlirimtare të Kosovës në arenën ndërkombëtare, duke mblodhur bashkatdhetarë, intelektualë, veprimtarë dhe personalitete të jetës publike shqiptare në Zvicër.
Panelistët në këtë promovim ishin Mr. sc. Bedri Zyberaj, Dr. Xhevat Hasani dhe vetë autori Ibish Neziri, ndërsa hapjen dhe moderimin e aktivitetit e bëri Fatmir Salihu.
Me praninë e tyre e nderuan këtë promovim edhe Vigan Berisha, Konsull i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Cyrih, Shukrije Ramadani, këshilltare në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Bernë, Fahredin Bunjaku, kryeimam në xhaminë shqiptare “Shtëpia e Paqes” në Cyrih, si dhe shkrimtarë, mjekë, veprimtarë të çështjes kombëtare, miq të autorit dhe anëtarë të Shoqatës PARANDALO.
Gjatë fjalimeve, panelistët vlerësuan veprën e Ibish Nezirit, duke theksuar se libri paraqet një analizë të detajuar dhe kritike mbi Raportin Marty, Dhomat e Specializuara dhe mënyrën se si, sipas autorit, është deformuar drejtësia gjatë proceseve që lidhen me luftën e Kosovës.
Libri trajton zhvillimet që nga themelimi i Gjykatës së Hagës e deri te funksionimi i Dhomave të Specializuara, duke ngritur çështje që lidhen me transparencën, përgjegjësinë dhe llogaridhënien institucionale.
Në fjalën e tij, Ibish Neziri theksoi se angazhimi i tij për këtë temë buron nga përcjellja e vazhdueshme e proceseve gjyqësore që nga themelimi i Gjykatës së Hagës, si dhe nga përvoja personale me padrejtësinë.
“Jam përpjekur ta përcjell punën e Gjykatës së Hagës jo vetëm në këtë rast, por që nga fillimi i saj. Mendimi im është se çështja e shqiptarëve në Gjykatën e Hagës ka përfunduar me rastet Limaj dhe Haradinaj, mirëpo më pas janë krijuar raste të reja, me vendime politike, me veprime politike dhe me ndikime të ndryshme.”
Duke folur për motivimin e tij për ta shkruar librin, ai shtoi:
“Kam dëgjuar dikë të thotë se ëndrrat më të mira për lirinë shihen në burg. Nëse ëndrrat më të bukura për lirinë shihen në burg, atëherë edhe padrejtësitë më së shumti i ndjejnë ata që i kanë përjetuar në kurrizin e tyre. Unë jam njëri nga ata që kam duruar padrejtësinë në kurrizin tim, i kam provuar ato padrejtësi dhe natyrisht e kam ndjerë padrejtësinë që bëhet në Hagë. Kjo më ka shtyrë të merrem me këtë temë dhe t’i evidentoj shkeljet, sigurisht jo të gjitha, por ato më flagrantet.”
Ibish Neziri njoftoi se libri është promovuar edhe në Prishtinë dhe në Shkup, në Institutin e Trashëgimisë Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Ai shtoi se vepra është dërguar në institucione ndërkombëtare dhe biblioteka, duke përfshirë Parlamentin Evropian në Bruksel, Dhomat e Specializuara në Hagë, Këshillin e Evropës në Strasburg, si dhe bibliotekat zvicerane.
Autori theksoi se çdo dërgesë është shoqëruar me një letër përcjellëse, ndërsa libri është dërguar edhe tek persona që kanë qenë të përfshirë në proceset që lidhen me themelimin e Dhomave të Specializuara. Ai njoftoi se ka marrë reagime zyrtare nga institucione evropiane, duke përfshirë Sekretarin e Përgjithshëm të Parlamentit Evropian dhe Drejtoreshën e Përgjithshme për të Drejtat e Njeriut.
“Tani, si e vlerësojnë ata çështjen e librit nuk e di, por do të doja që ky libër të ketë ndikuar në thirrjen e ndërgjegjes tek njerëzit tanë dhe të ketë nxitur një shqyrtim të pozicioneve të atyre që bartin përgjegjësi në Hagë dhe të atyre që kanë marrë vendime për themelimin e kësaj gjykate.”
Në diskutimet që pasuan, pjesëmarrësit ngritën shqetësime lidhur me mënyrën e funksionimit të Dhomave të Specializuara dhe mungesën e mekanizmave të llogaridhënies, duke vlerësuar se çështje të tilla meritojnë debat të hapur publik dhe institucional.
Promovimi u pasurua edhe me një performancë muzikore nga pianistja Lumbardha Klinaku, e cila i dha aktivitetit një dimension artistik dhe emocional.
Ngjarja u zhvillua në një atmosferë të ngrohtë dhe me interesim të madh nga bashkatdhetarët, duke dëshmuar nevojën për debat, reflektim dhe angazhim intelektual mbi çështje që prekin të vërtetën, drejtësinë dhe kujtesën kolektive të kombit shqiptar.
Në përmbyllje, themeluesi i Shoqatës PARANDALO dhe i plagosur i lirisë, Xhemal Selimi, përcolli një mesazh për rëndësinë e ruajtjes së kujtesës historike dhe mbrojtjes së vlerave të luftës çlirimtare.
“Po të ishim të gjithë të prekur nga lufta, do ta vlerësonim vërtet lirinë dhe do t’i mbronim, si shoqëri, vlerat e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.”
Më pas, Xhemal Selimi i ftoi të pranishmit në koktejin e organizuar nga anëtarët e Shoqatës PARANDALO, ku pjesëmarrësit patën mundësi të vazhdonin diskutimet në një frymë miqësore.
Një falënderim i veçantë iu adresua Kadrush Sinanajt, anëtar i Shoqatës PARANDALO dhe punonjës në GZ Seebach, për mbështetjen e ofruar në organizimin e aktivitetit. Organizatorët falënderuan gjithashtu të gjithë kontribuuesit dhe pjesëmarrësit që me praninë dhe angazhimin e tyre ndihmuan në mbarëvajtjen e këtij promovimi.
Me pak fjalë
Promovimi i librit “Drejtësia pa llogaridhënie” të autorit Ibish Neziri në Cyrih u shndërrua në një forum diskutimi mbi drejtësinë, kujtesën historike dhe trajtimin e luftës çlirimtare të Kosovës. Libri, i cili analizon Raportin Marty dhe Dhomat e Specializuara, ka nxitur debate mbi transparencën dhe llogaridhënien institucionale. Autori ka dërguar kopje të librit në institucione ndërkombëtare, duke marrë reagime zyrtare nga disa prej tyre.
Personat e përmendur
- Ibish Neziri
- Bedri Zyberaj
- Xhevat Hasani
- Fatmir Salihu
- Vigan Berisha
- Shukrije Ramadani
- Fahredin Bunjaku
- Lumbardha Klinaku
- Xhemal Selimi
- Kadrush Sinanaj
Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.




