Protesta e komunave, Gjini fton qytetarët për pjesëmarrje: Nesër ngremë zërin!

Protesta e komunave, Gjini fton qytetarët për pjesëmarrje: Nesër ngremë zërin!

Kreu i Aleancës, Ardian Gjini, ka ftuar të gjithë qytetarët, që nesër, nga ora 11:00, të bashkëngjiten në protestën e komunave të Kosovës në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.

Përmes një postimi në Facebook, Gjini ka kritikuar qasjen e nivelit qendror ndaj komunave, duke e akuzuar atë për ndërhyrje dhe pengim të ushtrimit të kompetencave lokale, transmeton Klankosova.tv.

Tutje, Gjini ka thënë se komunat e Kosovës janë “adresa e parë e qytetarëve” dhe segmenti kryesor i përfaqësimit të tyre institucional, ndërsa ka theksuar se kompetencat e tyre janë të përcaktuara qartë me ligj.

Sipas tij, këto kompetenca dhe të drejta po atakohen gjithnjë e më shumë nga niveli qendror, për të cilin Gjini thotë se, në vend që t’i përkrahë komunat, po i pengon ato në ushtrimin e përgjegjësive të tyre.

“Situata është e qartë: buxhetet po shkurtohen, mbi 3.100 mësimdhënës janë lënë jashtë planifikimeve financiare, dëmet nga fatkeqësitë natyrore nuk po kompensohen, inspektoratet po centralizohen, punësimi në shërbimin civil po merret nga niveli lokal, ndërsa pronat komunale dhe fusha të tjera po rrezikohen nga kufizime të reja”, ka shkruar Gjini.

Ai ka paralajmëruar se komunat do ta ngrenë zërin për të kërkuar respektimin e kompetencave dhe të drejtave të tyre ligjore.

“Kur komuna humb fuqinë, humbasin edhe shërbimet që ju i merrni çdo ditë. Kur i hiqen kompetencat, dobësohet demokracia lokale. Kur i merren buxhetet, ndalen investimet dhe dëmtohen shërbimet publike”, ka deklaruar ai.

The post Protesta e komunave, Gjini fton qytetarët për pjesëmarrje: Nesër ngremë zërin! appeared first on InfoShqip.com.


Burimi i lajmit: infoshqip.com
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.