BDI: MPB të publikojë raportin e plotë policor për rastin e dy të rinjve të rrahur në Saraj

BDI: MPB të publikojë raportin e plotë policor për rastin e dy të rinjve të rrahur në Saraj

Bashkimi Demokratik për Integrim kërkon nga Ministria e Punëve të Brendshme që të publikojë raportin e plotë policor lidhur me ndërhyrjen e 7 tetorit, gjatë së cilës dy të rinj nga Saraji, të moshës 21 dhe 23 vjeç, që janë rrahur brutalisht nga pjesëtarë të policisë.

“Në opinion janë paraqitur versione kundërthënëse për atë që ka ndodhur. Të rinjtë dëshmojnë se janë goditur edhe pasi janë neutralizuar dhe prangosur, ndërsa në publik janë plasuar pretendime për rezistencë ndaj policisë dhe marrje të armës së një zyrtari policor.Prandaj kërkojmë publikimin e raportit fillestar të patrullës policore, procesverbaleve dhe dokumentacionit përkatës, duke respektuar të dhënat personale dhe integritetin e hetimit.Kush e ka përpiluar raportin? Çfarë kanë deklaruar policët pjesëmarrës në intervenim? A përputhet versioni i tyre me pamjet që tashmë i ka parë opinioni? Këto janë pyetje që kërkojnë përgjigje zyrtare. Nëse ka pasur tejkalim të autorizimeve policore, përgjegjësia duhet të përcaktohet për secilin zyrtar të përfshirë, pa përjashtim. Qytetarët kanë të drejtë ta dinë të vërtetën, ndërsa policia ka detyrim të japë llogari për përdorimin e forcës. Raporti duhet të bëhet publik. Përgjegjësia duhet të jetë e plotë. Asnjë uniformë nuk mund të shërbejë si mbrojtje nga ligji”, thekson Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI).(INA)


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.