Sa orë punohet në Zvicër dhe Evropë?
Sipas të dhënave për orët reale të punës, të cilat përfshijnë të punësuarit me orar të plotë dhe të pjesshëm të moshës 20 deri në 64 vjeç, dallimet mes vendeve evropiane janë të konsiderueshme, përcjell albinfo.ch.
Në Zvicër, mesatarja arrin në 35.9 orë pune në javë, po aq sa mesatarja e Bashkimit Evropian.
Ballkani me javët më të gjata të punës
Nëse krahasimit i shtohen edhe vendet kandidate për anëtarësim në BE dhe shtetet e EFTA-s, Turqia regjistron javën më të gjatë të punës, me mesatarisht 42.4 orë.
Pas saj renditen Bosnjë e Hercegovina me 40.9 orë dhe Serbia me 40.6 orë.
Këto janë të vetmet tri vende të përfshira në krahasim ku mesatarja kalon 40 orë në javë.
Në mesin e vendeve me orare të gjata janë edhe Greqia me 39.6 orë, Maqedonia e Veriut me 39.5 orë dhe Bullgaria me 38.7 orë, përcjell albinfo.ch.
Kështu, vendet e Ballkanit dominojnë pjesën e sipërme të renditjes për javën më të gjatë të punës në Evropë.
Ekspertët vlerësojnë se dallimet nuk lidhen vetëm me zgjedhjen individuale të punonjësve. David Spencer, profesor në University of Leeds, thotë se numri i orëve të punës ndikohet fuqishëm nga punëdhënësit, produktiviteti dhe fuqia negociuese e punonjësve. /albinfo.ch/
(KEYSTONE/Gaetan Bally)Holanda punon më së paku
Në anën tjetër të renditjes është Holanda, ku punohet mesatarisht vetëm 31.9 orë në javë, niveli më i ulët në Evropë.
Një nga arsyet kryesore është përhapja e madhe e punës me orar të pjesshëm. Rreth 43 për qind e të punësuarve në Holandë punojnë me kohë të pjesshme.
Pas Holandës renditen Gjermania, Norvegjia dhe Danimarka, secila me mesatarisht 33.9 orë pune në javë.
Edhe Austria, me 34 orë, Belgjika me 34.3 dhe Finlanda me 34.7 orë qëndrojnë nën pragun prej 35 orësh në javë.
Zvicra me 35.9 orë në javë
Me 35.9 orë, Zvicra ka një javë mesatare pune më të gjatë se Gjermania, Austria, Belgjika, Finlanda, Suedia dhe Irlanda, por dukshëm më të shkurtër se shumë vende të Evropës Lindore dhe të Ballkanit, përcjell albinfo.ch.
Për krahasim, në Gjermani punohet mesatarisht 33.9 orë në javë, në Francë 35.6, në Itali 36.1 dhe në Spanjë 36.3 orë.
Në Poloni mesatarja arrin në 38.7 orë, në Rumani 38.2, në Çeki 37.5 dhe në Hungari 37.4 orë.
Pse ka dallime kaq të mëdha?
Sipas ekspertëve, disa faktorë ndikojnë në kohëzgjatjen mesatare të javës së punës: rregullimi ligjor i orarit, fuqia e sindikatave dhe marrëveshjeve kolektive, përqindja e punës me kohë të pjesshme, numri i të vetëpunësuarve dhe struktura e ekonomisë.
Në përgjithësi, në Evropën Veriore dhe Perëndimore punohet më pak orë në javë sesa në Evropën Lindore, Qendrore dhe në Ballkan.
Një rol të rëndësishëm luan puna me kohë të pjesshme. Sa më e lartë të jetë përqindja e punonjësve part-time, aq më e ulët është zakonisht mesatarja kombëtare e orëve të punës.
Të vetëpunësuarit, në anën tjetër, priren të punojnë më gjatë se të punësuarit me kontratë, veçanërisht kur kanë edhe punonjës të tjerë nën përgjegjësinë e tyre.
(KEYSTONE/Gaetan Bally)Edhe profesioni bën diferencën
Dallime të konsiderueshme shfaqen edhe sipas sektorëve.
Në BE, të punësuarit në bujqësi, pylltari dhe peshkim kanë javën më të gjatë, me mesatarisht 42 orë pune. Pas tyre vijnë personat në pozita drejtuese me 40.6 orë dhe pjesëtarët e forcave të armatosura me 39.4 orë.
Në anën tjetër, punonjësit në profesionet më elementare punojnë mesatarisht 31.8 orë në javë, ndërsa personeli administrativ rreth 34 orë.
Të dhënat tregojnë kështu një ndarje të qartë: ndërsa Holanda, Gjermania dhe vendet nordike karakterizohen nga javë relativisht të shkurtra pune, në Ballkan vazhdon të punohet dukshëm më gjatë.
/albinfo.ch/euronews/
The post Sa orë punohet në Zvicër dhe Evropë? appeared first on Albinfo.
Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.