Qeveria e parë politike në Maqedoni, 5 ministra shqiptarë pjesë e saj

Qeveria e parë politike në Maqedoni, 5 ministra shqiptarë pjesë e saj

34 vite më parë, më 4 shtator 1992, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë i votoi besimin kabinetit të ri qeveritar të udhëhequr nga Branko Crvenkovski, duke shënuar kështu lindjen e qeverisë së parë politike dhe partiake të shtetit të pavarur, në të cilën bënin pjesë pesë ministra shqiptarë që mbajtën resorë kyçë, përcjell INA. Po ashtu pjesë e Qeverisë në postin e minisrit të jashtëm ishte Denko Maleski, i njohur në disa koluare politike si shqiptar ortodoks.

Kjo qeveri pasoi kabinetin qeveritar të ekspertëve të udhëhequr nga Nikola Klusev, i cili ishte zgjedhur më 20 mars 1991, që pas disa muajve ra pas një mocioni mosbesimi në Kuvend.

Me ardhjen në pushtet të koalicionit të parë politik të përbërë nga LSDM (Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë), PPD (Partia për Prosperitet Demokratik), Partia Liberale dhe Partia Socialiste, drejtimin e ekzekutivit e mori një strukturë e re, me Crvenkovskin në krye në moshën 29-vjeçare, përcjell INA.

Përbërja e plotë e Qeverisë së parë politike (1992):

Kryeministër: Branko Crvenkovski (LSDM)

Zëvendëskryeministra: Stevo Crvenkovski, Jovan Andonov, Beqir Zhuta (PPD)

Ministria e Mbrojtjes: Vlado Popovski (LSDM)

Ministria e Punëve të Brendshme: Ljubomir Frčkoski (LSDM)

Ministria e Drejtësisë dhe Administratës: Tuše Gošev

Ministria e Punëve të Jashtme: Denko Maleski (LSDM)

Ministria e Financave: Xhevdet Hajredini (PPD)

Ministria e Ekonomisë: Petruš Stefanov

Ministria e Zhvillimit: Sofija Todorova

Ministria e Urbanizmit, Ndërtimit, Komunikacionit dhe Ekologjisë: Antoni Pešev

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave: Eftim Ančev

Ministria e Punës dhe Politikës Sociale: IljaZ Sabriu (PPD)

Ministria e Arsimit dhe Kulturës Fizike: Dimitar Bajalxhiev (LSDM)

Ministria e Shkencës: Aslan Selmani

Ministria e Kulturës: Gjyner Ismail – komuniteti turk (LSDM)

Ministria e Shëndetësisë: Jovan Tofovski

Ministra pa portofol: Jane Miljovski, Ljube Trpeski, Gordana Siljanovska, Servet Avziu (PPD)

Ky kabinet qeveritar u ballafaqua menjëherë me kushte tejet të rënda, të karakterizuara nga embargoja greke, mbyllja e kufijve, kriza e rëndë ekonomike, hiperinflacioni dhe izolimi ndërkombëtar si pasojë e kontestit të emrit. Pavarësisht këtyre rrethanave, pikërisht gjatë këtij mandati, më 8 prill 1993, Maqedonia u pranua si anëtare me të drejta të plota e Kombeve të Bashkuara (OKB) nën referencën e përkohshme.(INA)


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.