Raporti i Policisë për Gani Gecin: U arrestua për kanosje, me vendim të prokurorit është ndaluar për 48 orë

Raporti i Policisë për Gani Gecin: U arrestua për kanosje, me vendim të prokurorit është ndaluar për 48 orë

Ishh-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Gani Geci, është arrestuar nën dyshimin për kanosje ndaj gazetarit Lirim Mehmetaj dhe, me vendim të prokurorit, është ndaluar për 48 orë.

Sipas raportit të Policisë së Kosovës, më 13 tetor 2023 është arrestuar një i dyshuar kosovar, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “kanosje” ndaj një viktime mashkull, gazetar.

“Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë”, thuhet në raportin e Policisë.

Geci fillimisht ishte shoqëruar në polici, pasi një natë më parë, sipas disa raportimeve, kishte shkuar te ambientet e Televizionit Dukagjini, ku Mehmetaj po merrte pjesë në një debat me deputetin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Përparim Gruda.

Mbrëmë, në profilin e Gani Gecit, djali i tij ka shkruar se babai ka shkuar vullnetarisht për t’u intevistuar në polici.

“Unë, Valdrin Geci, deklaroj se kam qenë me babain dhe disa shokë duke pirë kafe në Che Bar. Pas telefonatës së policisë, Gani Geci ka shkuar vullnetarisht për të dhënë deklaratë në Policinë e Republikës së Kosovës.

Pasi të intervistohet, Gani Geci do t’u përgjigjet të gjitha mediave për shpifjet e tyre se kinse është arrestuar. Shkruan: Rilind Geci”, thuhej në postim.

Ngjarja erdhi pas një postimi kritik të gazetarit Mehmetaj ndaj deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Fatos Geci. Gazetari ka treguar se anëtarë të familjes Geci kishin shkuar në zyrën e tij dhe i kishin kërkuar ta fshinte ose ta ndryshonte postimin. Mehmetaj ka thënë se ka shkuar në polici ku i ka njoftuar për rastin.


Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.