Rasti i Arlinda Zekaj, Gërvalla dhe Sveçla refuzojnë dorëheqjet

Rasti i Arlinda Zekaj, Gërvalla dhe Sveçla refuzojnë dorëheqjet

Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka folur për kërkesat për dorëheqjen e saj pas vrasjes së Arlinda Zekajt, duke thënë se do ta kishte ndërmarrë këtë hap nëse do të besonte se dorëheqja do të ndihmonte në identifikimin më të saktë dhe më të shpejtë të veprimeve apo mosveprimeve institucionale.

“Po të konsideroja që dorëheqja do të ishte mekanizmi përmes të cilit do të kontribuonim për një identifikim më të saktë e më të shpejtë të veprimit ose mosveprimit, unë do të kisha dhënë dorëheqje”, ka deklaruar Gërvalla, transmeton “Bota sot”.

Ajo ka theksuar se, sipas saj, dorëheqja nuk do të ishte zgjidhja në këtë moment, duke shtuar se qytetarët e dinë që ajo është gjithmonë në anën e viktimave.

“Nuk është momenti”, ka thënë Gërvalla lidhur me kërkesat për dorëheqje pas rastit tragjik.

Edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka folur për kërkesat për dorëheqje pas vrasjes së Arlinda Zekajt, duke thënë se nuk beson se largimi i tij nga detyra do të kontribuonte në fuqizimin e grave dhe në avancimin e të drejtave të tyre.

Sveçla ka kujtuar se para dhjetë vjetësh kishte dhënë dorëheqje nga një pozitë, edhe pse, sipas tij, nuk kishte pasur përgjegjësi për rastin e atëhershëm.

“Para 10 vitesh kam dhënë dorëheqje nga pozita, pa pasur kurrfarë përgjegjësie për rastin e atëhershëm, duke menduar se dorëheqja ime do të kontribuonte në përmirësimin e praktikave në atë fushë”, ka deklaruar Sveçla, transmeton “Bota sot”.

Megjithatë, ai ka thënë se këtë herë nuk mendon se dorëheqja do të sillte ndryshimin e dëshiruar.

“Tash unë nuk mendoj se dorëheqja jonë do të kontribuonte në fuqizimin e gruas, në të drejtat e saj, sepse ne jemi të angazhuar 100 për qind në atë pikë”, është shprehur ministri.

Sveçla ka deklaruar gjithashtu se i mbështet protestuesit dhe se e kupton zemërimin e tyre pas rastit të rëndë.

“Jam me protestuesit, e kuptoj indinjatën dhe mllefin e protestuesve”, ka thënë ai.


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.