Reçica: Në vend të zhvillimit, po shohim ekzod, Kosova të merr masa për ndaljen e emigrimit, rrezik të mbesim pa fuqi punëtore
Ish-ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica, për FrontOnline, ka folur në lidhur me ikjen e qytetarëve të Kosovës, për gjatë viteve të fundit, e ku numri i të larguarve nga Kosova është 365 mijë qytetarë. Reçica thotë se askush nuk e kishte imagjinuar se pas gjithë atyre sakrificave, Kosova do të përballej me
Ish-ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica, për FrontOnline, ka folur në lidhur me ikjen e qytetarëve të Kosovës, për gjatë viteve të fundit, e ku numri i të larguarve nga Kosova është 365 mijë qytetarë.
Reçica thotë se askush nuk e kishte imagjinuar se pas gjithë atyre sakrificave, Kosova do të përballej me këtë eksod kaq masiv.
‘’Askush nuk e kishte imagjinuar se pas Luftës së Kosovës, me gjithë ato sakrifica të një populli të tërë, të bëra për liri dhe dinjitet, vendi do të përballej me një eksod të qytetarëve të tij. Sot, në vend që të shohim zhvillim dhe përparim, po shohim të rinj që largohen nga atdheu, duke braktisur vendin e tyre, i cili nuk u ofron asnjë perspektivë’’ thotë ai për FrontOnline.
Për të, numri kaq i lartë i qytetarëve që kanë ikur nga Kosova nuk qëndron thjeshtë si statistikë, por një realitet i hidhur.
‘’Kjo nuk është thjesht një statistikë, por një realitet i hidhur që po e zbraz Kosovën nga forca e saj më vitale. Shkaktarët e këtij fenomeni janë të qartë dhe të njohur: mungesa e mundësive për punësim, pasiguria ekonomike dhe sociale, korrupsioni i institucionalizuar, mungesa e reformave të qëndrueshme dhe një model qeverisjeje që nuk ka sjellë ndryshime të prekshme në jetën e qytetarëve. Në vend që të krijohen politika zhvillimore dhe të hapen horizonte të reja për qytetarët, vendi vazhdon të mbetet i ngecur në një rreth vicioz të pasigurisë ekonomike dhe sociale, duke bërë që emigrimi të mos jetë më një zgjedhje, por një domosdoshmëri për shumë familje’’ deklaroi ai.
Sipas tij, papunësia është ndër arsyet kryesore që kanë rritur numrin kaq të lartë që qytetarët të largohen nga Kosova e po asht edhe dështimi i sistemit arsimor.
‘’Papunësia, veçanërisht tek të rinjtë dhe gratë, ka arritur nivele alarmante, duke i detyruar qytetarët të kërkojnë një të ardhme jashtë vendit. Një tjetër faktor shqetësues është dështimi i sistemit arsimor për t’iu përgjigjur kërkesave të tregut të punës, duke krijuar një mospërputhje të thellë mes kualifikimeve të qytetarëve dhe mundësive reale për punësim’’ thotë ai.
Ai sugjeron marrjen e hapave konkret për ta ndryshuar gjendjen në vend dhe për të marr masa që do të mund ta ndalnin ikjen e qytetarëve të vendit, pasi që sipas tij nëse kjo vazhdon, Kosova mund të mbetët pa fuqi punëtore.
‘’Në këtë situatë, në vend që të ndërmerren hapa konkretë për të ndryshuar gjendjen, shpesh shohim premtime boshe dhe masa të fragmentuara që nuk sjellin asnjë zgjidhje afatgjatë. Nëse kjo tendencë vazhdon, Kosova rrezikon të mbetet pa fuqinë e saj më vitale – të rinjtë dhe profesionistët e kualifikuar. E ardhmja nuk ndërtohet me retorikë dhe projekte në letër, por me politika të guximshme dhe vendime strategjike që i japin fund këtij eksodi të dhimbshëm’’ u shpreh ish-ministri Skënder Reçica.