Reprizë e përplasjeve në Nju Jork, Osmani me viktimat luftës përballë Vuçiqit, SHBA porosi Serbisë: “Banjska të mos përsëritet”

Welcome to Kosova Today

Serbisë iu kërkua t’i mbajë përgjegjës personat e involvuar në sulmin në Banjskë, dhe SHBA-ja porositi zëshëm në OKB që një sulm i tillë të mos ndodhë më. Në seancën e Këshillit të Sigurimit që karakterizohet me ballafaqimin Kosovë – Serbi, presidentja e vendit, Vjosa Osmani i mori me vete katër viktima të luftës, gjë […]

Reprizë e përplasjeve në Nju Jork, Osmani me viktimat luftës përballë Vuçiqit, SHBA porosi Serbisë: “Banjska të mos përsëritet”
reprize-e-perplasjeve-ne-nju-jork,-osmani-me-viktimat-luftes-perballe-vuciqit,-shba-porosi-serbise:-“banjska-te-mos-perseritet”

reprize-e-perplasjeve-ne-nju-jork,-osmani-me-viktimat-luftes-perballe-vuciqit,-shba-porosi-serbise:-“banjska-te-mos-perseritet”

Serbisë iu kërkua t’i mbajë përgjegjës personat e involvuar në sulmin në Banjskë, dhe SHBA-ja porositi zëshëm në OKB që një sulm i tillë të mos ndodhë më. Në seancën e Këshillit të Sigurimit që karakterizohet me ballafaqimin Kosovë – Serbi, presidentja e vendit, Vjosa Osmani i mori me vete katër viktima të luftës, gjë që nxiti një diskutim.

Pritej që presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq do të shkëmbenin akuza në seancën e së hënës pasdite të Këshillit të Sigurimit në OKB, e thirrur si zakonisht për ta shqyrtuar raportin e rregullt gjashtëmujor të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres për punën e UNMIK-ut.

Mesazhi kryesor

Përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara në Kombet e Bashkuara, Robert Ëood, përsëriti edhe dje se SHBA-ja beson që misioni i UNMIK-ut në Kosovë e ka kryer punën e vet dhe duhet të përmbyllet.

Ëood tha se rajoni ka bërë progres, por përmendi “veprime eskaluese dhe të pakoordinuara nga të dyja palët, Serbia dhe Kosova që e vonojnë atë”.

Ai foli për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku. Tha se 6 muaj pas atij sulmi “Serbia s’ka bërë përparim thelbësor për t’i mbajtur përgjegjës personat e involvuar, përfshirë edhe liderin e vetëshpallur të sulmit Milan Radoiciq”.

Tha se Serbia duhet të punojë me KFOR-in që edhe një sulm si ai të mos ndodhë më.

“Kërkojmë përgjegjësi të plotë në përputhje me sundimin e ligjit. Është kritike që Serbia të punojë me KFOR-in që të parandalohet edhe një sulm si ai i 24 shtatorit, që të mos ndodhë përsëri” theksoi përfaqësuesi amerikan.

Wood përmendi edhe ndalimin që Serbia ua bëri së fundmi qytetarëve nga Kosova që po kalonin nëpër territorin e saj.

“Jemi shumë të brengosur për ndërprerjen e lirisë së lëvizjes për qytetarët në Serbi më 17 prill dhe ndalimin e qytetarëve kosovarë përfshirë serbët etnikë që shërbejnë në Policinë e Kosovës. Ky veprim ishte shkelje e marrëveshjeve të kaluara të lirisë së lëvizjes dhe formë kërcënimi ndaj serbëve të Kosovës që marrin pjesë në jetën civile në Kosovë”, tha ai.

Diplomati amerikan shprehu brengën e Washingtonit për vendimet e fundit të pakoordinuara të Qeverisë së Kosovë, përfshirë atë për rregulloren e Bankës Qendrore për pagesa me para të gatshme.

“Është në shpërputhje me zotimin e Kosovës për dialogun e lehtësuar nga BE. Këto veprime afektojnë komunitetet e cenuara joshumicë dhe e minojnë normalizimin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, tha ai.

Wood kërkoi hapa konkret nga Kosova dhe Serbia në përmbushjen e të gjitha zotimeve në kuadër të dialogut, përfshirë gjetjen e një zgjidhjeje për çështjen e valutës dhe përparim në themelimin e Asociacionit.

Wood foli edhe për votimin e fundit në veri, duke shprehur keqardhje për mospjesëmarrjen e Listës Srpska dhe përfaqësuesve tjerë. Tha se kryetarët e zgjedhur mbesin në postet e tyre sipas ligjit.

Raporti i UNMIK-ut: Pakënaqësi me nivelin e përparimit në dialog, votimi në veri mund ta zgjasë situatën fragjile dhe të pazgjidhur

Seanca kishte nisur me fjalët e Caroline Ziadeh. Shefja e UNMIK-ut, përfaqësuesja speciale e Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres në Kosovë paraqiti raportin gjashtëmujorësh, duke i dhënë rëndësi pakënaqësisë që tha se e kanë kryesisht me nivelin e përparimit në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe pasojat që tha se i ka kjo në situatën e sigurisë.

“Një prej vëzhgimeve kyçe është pakënaqësia me nivelin e përparimit që është arritur përmes dialogut politik dhe pasojat e drejtpërdrejta që kjo ka për situatën e sigurisë. Niveli i mosbesimit fatkeqësisht është i lartë”, tha ajo, duke shtuar se muajt e fundit “janë rritur tensioni”.

Ajo përmendi votimin e së dielës për largimin ose jo të kryetarëve shqiptarë nga udhëheqja e katër komunat në veri të vendit, rezultati i së cilit, siç tha, “e përgatit skenën për për zgjatjen e një situate fragjile dhe të pazgjidhur”.

“Nga pikëpamja jonë, do të vazhdojmë ta përkrahim dialogun për të gjetur një zgjidhje konsensuale të çështjeve që kanë mbetur pa u zgjidhur”, tha Ziadeh, e cila më tej e përmendi edhe “incidentin serioz” në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator të vitit të kaluar, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

“Vazhdoj të theksoj kërkimin e përgjegjësisë për këtë incident shumë serioz të sigurisë, përmes hetimeve të bazuara në fakte dhe vlerësimit të rrethanave. Kjo është çështje gjyqësore, por edhe domosdoshmëri politike në mënyrë që t’u ikim rasteve të tilla të përsëritura”, tha ajo.

Paraqitja e presidentes Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha në Këshill të Sigurimit se Serbia e ka eskaluar agresionin ndaj Kosovës, duke përmendur kidnapimin e policëve në veri, sulmin ndaj gazetarëve dhe sulmin në Banjskë.

Për Banjskën, ajo tha se “kryerësit e sulmit sillen lirshëm në Serbi e vazhdojnë të marrin kontrata të mëdha nga qeveria e Vuçiqit”.

“Fatkeqësisht, edhe pas 25 vitesh prej kur NATO përfundoi fushatën gjenocidale të Millosheviqit, përpjekjet e destabilizimit nga Serbia janë të vazhdueshme dha aktive. Serbia tash e ka eskaluar agresionin konstant fillimisht me kidnapimin e policëve shqiptarë nga territori ynë, me sulmet ndaj gazetarëve kosovarë, po ashtu me sulmin terrorist ndaj Kosovës në shtator. Pas këtij sulmi, Shtëpia e Bardhë ka thënë se Serbia ka përdorur prani të madhe ushtarake të artilerisë me tanke e njësi të mekanizuara… Serbia bën përpjekje për ta prishur integrimin e serbëve në Kosovë… Serbët në Kosovë janë nën trysni, por jo nga Kosova po nga Qeverisë e Serbisë”, tha Osmani.

Ajo foli ndër të tjera edhe për votimin e të dielës në veri të Kosovës, duke treguar se zgjedhjet e prillit të vitit të kaluar në katër komunat në atë pjesë të vendit ishin bojkotuar gjithashtu.

“Pavarësisht këtyre sfidave, Kosova iu përmbajt vlerave të saj, demonstroi maturi politike në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare”, tha Osmani.

“Nëse ka kryetarë shqiptarë ende në zyrat e tyre në komunat e Veriut, serbët e Kosovë duhet ta falënderojnë Vuçiqin”, tha presidentja.

Presidentja e mori Elhame Muqollin, të mbijetuarën e masakrës së Poklekut në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së në Neë York, për të treguar se si forcat serbe kishin vrarë dhe djegur edhe foshnje për së gjalli në tmerrin që ajo e kishte parë dhe i kishte mbijetuar.

Osmani tregoi në OKB se si në sy të Elhame Muqollit forcat serbe ia ekzekutuan familjen e banorë tjerë brenda shtëpisë ku jetonin.

“Para 5 ditësh kemi shënuar 25 vjetorin e masakrës nga regjimi i Millosheviqit. Elhame Muqolli, që është me mua sot ka qenë vetëm 14 vjeçare kur shtëpia e saj është sulmuar nga forcat policore serbe. 53 civilë, shumica nga ta fëmijë, fillimisht janë qëlluar me armë dhe i kanë mbledhur në një dhomë të vetme. Përderisa policia ka shkuar që të furnizohej, Elhamja ka kërcyer nga dritarja dhe ka ikur, edhe pse ka qenë e plagosur me plumba. Shkurt, më pas policia është kthyer me furnizime shtesë për t’i vënë në zjarr të gjithë 53 civilët”, tha Osmani.

“Elhamja asnjëherë s’do të mund të harrojë klithmat e disa prej fëmijëve që ende kanë qenë të gjallë përderisa janë djegur e shkrumbuar. Nëse kjo s’ka qenë e mjaftueshme, policia prapë ua ka vënë zjarrin. Fëmijë të vogël, edhe 6 muajsh, 10 muajsh janë djegur në përpjekjen për t’i zhdukur nga faqja e dheut vetëm sepse kanë qenë shqiptarë”, tha presidentja.

Në atë regjim, Osmani theksoi se “ka shërbyer ky individ si ministri propagandës”, duke iu referuar presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, i pranishëm në këtë takim.

Ajo tregoi edhe për Vasfije Krasniqin, e cila u dhunua seksualisht dy herë gjatë luftës.

“Më shumë do të heqësh nëse vazhdon të jetosh, i kanë thënë asaj”, tha Osmani.

Ndërsa për Shyrete Tairin, Osmani tregoi “është dhunuar para vajzave të saj të vogla trevjeçare dhe njëvjeçare”.

“Forcat e Millosheviqit i kanë kryer këto akte para fëmijëve të vegjël, duke dashur të sigurohen që dhimbja do të kalojë nga gjenerata në gjeneratë”, tha ajo.

Gjithashtu, foli për Fahrije Hotin që përjetoi masakrën e tmerrshme të Krushës së Madhe dhe e cila ka familjarë të zhdukur në luftë.

Përplasja e Osmanit me Vuçiqin dhe përfaqësuesin rus për viktimat e luftës që i mori në OKB

Pasi presidentja Vjosa Osmani i prezantoi katër viktimat e luftës në Kosovë në seancën e Këshillit të Sigurimit, përfaqësuesi i rus, Vasily Alekseyevich Nebenzia dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq i reaguan.

Vuçiq tha se po flisnin për raportin e UNMIK-ut dhe jo për çka ka ndodhur para 25 vjetësh.

Pas tij, reagoi edhe Nebenzia i cili tha se Osmani s’do të duhej t’i kishte pas vetes këto gra.

Presidentja Osmani tha se gratë që i mori me vete, përveçse përfaqësojnë histori të trishta të luftës, janë edhe pjesë e kabinetit të saj.

“Sa i përket çështjes procedurale, përveçse janë avokate të shkathëta për drejtësinë, po ashtu janë pjesëtare të kabinetit tim, të emëruara si të tilla. Kështu që janë në kapacitet këshillues, sepse ato punojnë për kauzat që i kanë për zemër, për gratë që kanë përjetuar dhunë seksuale dhe përkrahjen e familjeve të këtyre grave”, tha ajo.

Përfaqësuesi rus i reagoi edhe njëherë, duke thënë se Osmani “nuk ka kabinet edhe nëse beson se ka” dhe se “ajo është ftuar si person privat” në OKB.

Vuçiq: Regjimi i Kurtit po shpërblehet

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq në takimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së përsëriti disa herë se “në vend që të dënohet, regjimi i Kurtit në Prishtinë po shpërblehet”.

Ai foli për “keqtrajtime të serbëve në Kosovë” dhe se si kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka “aspirata hegjemoniste drejt Shqipërisë së Madhe”.

Ai përmendi se Kurti s’mori pjesë në takimin e djeshëm, pasi tha se “është i ngarkuar duke vënë në pah stabilitetin regjional duke udhëhequr fushatat e tij në Maqedoninë e Veriut”.

“Dua t’u tregojë banorëve në Maqedoninë e Veriut se pengimi në çështjet e tyre nuk është Serbia, por është Albin Kurti”, tha Vuçiq.

Ai tha gjithashtu se “Prishtina po refuzon ta zbatojë zotimin më të rëndësishëm në dialog”.

“Ky zotim konsiston në zbatimin e Asociacionit siç është dakorduar në marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015, si mekanizëm për mbrojtjen e të drejtave kolektive dhe individuale dhe si bazë për procesin e normalizimin të plotë”, tha Vuçiq.

Sipas tij, insistimi i Serbisë për krijimin e Asociacionit nuk e paragjykon statusin e Kosovës.

“Nëse Asociacioni do të krijohej para 11 vjetësh, jam i sigurt se do të krijonte kushtet për dialog të vërtetë dhe pajtim historik ndërmjet komuniteteve . Sidoqoftë ata që janë në pushtet në Prishtinë s’e duan këtë”, tha presidenti serb.

Ai e përmendi edhe çështjen e dinarit, me të cilën tha se Kosova ua ka vështirësuar përditshmërinë serbëve.

Vuçiq po ashtu e ka përmendur sërish në OKB deklaratën e ministrit Liburn Aliu, se “Kosova është projekt i përkohshëm”, që ky e kishte bërë në emisionin “Zanat”.

Vuçiq tha se para dy javësh Policia e Kosovës e ka arrestuar një serb “për rrezikim të rendit kushtetues të Kosovës”, në anën tjetër Liburn Aliu, që e rrezikon këtë rend sipas tij, vazhdon të jetë ministër në Prishtinë.

Franca dhe Mbretëria e Bashkuar

Përfaqësues të vendeve tjera pjesëmarrëse në KS të OKB-së i bënë thirrje Serbisë që t’i mbajë përgjegjës personat e përfshirë në sulmin në Banjskë të Zveçanit, për formimin e Asociaconit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, si dhe për gjetjen e një zgjidhjeje për çështjen e dinarit serb.

Franca kërkoi mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri të Kosovës, duke thënë përmes përfaqësuesit të saj në OKB, Nicolas de Riviere se “tërheqja e kryetarëve aktualë shqiptarë do të ishte mënyra më e shpejtë për rivendosje të demokracisë përfaqësuese në katër komunat në veri, dhe do të jetë shenjë e shtensionimit të situatës”.

“Franca rikujton se tërheqja e kryetarëve të zgjedhur me vetëm 3 për qind të votave, do të ishte mënyra më e shpejtë për rivendosje të demokracisë përfaqësuese në katër komunat në veri, dhe do të jetë shenjë e shtensionimit të situatës”, tha ai.

Përfaqësuesi i Mbretërisë së Bashkuar në këtë takim në OKB, Fergus Eckersley tha se vendi i tij e mbështet kaherë sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës, ndërsa shprehu vlerësimin për lëvizjet e fundit të Qeverisë, duke theksuar zbatimin e vendimit të vitit 2016 për pronat te Manastiri i Deçanit.

Kjo, ai tha se e ka afruar Kosovën drejt anëtarësimit në Këshillin e Europës.

“Ky përkushtim ndaj reformave e ka sjellë Kosovën një hap më afër arritjes së aspiratës së saj për anëtarësim në Këshillin e Europës. Kjo do të sjellë përfitime të prekshme për të gjithë qytetarët e Kosovës. Mbretëria e Bashkuar mezi pret të punojë me Kosovën në hapat e ardhshëm drejt një vendimi pozitiv nga Komiteti i Ministrave”, tha Eckersley.

Ai kërkoi gjithashtu lëvizje nga Serbia për sulmin në Banjskë.

“Serbia duhet të sigurojë që autorët e ngjarjeve tronditëse në Banjska shtatorin e kaluar dhe sulmet ndaj personelit të KFOR-it të NATO-s në maj të sillen para drejtësisë”, tha përfaqësuesi britanik.

Çka ndodhi me delegacionin e Kosovës para nisjes së seancës

Seanca që zakonisht karakterizohen me këtë formë ballafaqimi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nisi me pakëz vonesë. Në 16:00, të gjithë ishin ulur në sallë, përveç delegacionit të Kosovës të prirë nga presidentja Osmani.

Kryesuesja e seancës, Vanessa Fraser nga Malta tha se duhej ta prisnin pak delegacionin e Kosovës, dhe ndërsa po i njoftonte anëtarët e KS të OKB-së për këtë, Osmani hyri në sallë bashkë me delegacionin e saj, të përbërë kësaj here nga viktimat e luftës në Kosovë, Elhame Muçollin, Fahrije Hotin, Vasfije Krasniqin e Shyrete Tairin.

Gazeta Express mësoi më vonë se katër gratë, viktima të luftës në Kosovë, ishin penguar të hynin në sallën e Këshillit të Sigurimit dhe se Osmani kishte refuzuar të hynte pa to./Epress

 

Sisteme Online Programime
Programing Online