Rikujtim, mirënjohje, muzikë dhe art – Kosova shënon Pavarësinë në Bernë

Aktiviteti u shënua me një ekspozitë të titulluar "Liria erdhi me mua", një homazh artistik për dëshmorët dhe heronjtë e luftës The post Rikujtim, mirënjohje, muzikë dhe art – Kosova shënon Pavarësinë në Bernë appeared first on Albinfo.

Rikujtim, mirënjohje, muzikë dhe art – Kosova shënon Pavarësinë në Bernë

Më 17 shkurt 2025, në një atmosferë solemne, Ambasada e Republikës së Kosovës në Bernë organizoi një ngjarje të veçantë për të shënuar 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës. Kjo mbrëmje mblodhi bashkë shqiptarë nga diaspora, artistë, familjarë të dëshmorëve dhe personalitete të rëndësishme, të cilët përmes artit dhe kujtimeve përjetësuan sakrificën dhe ëndrrën e realizuar të një shteti të lirë dhe të pavarur.

Mbrëmja u hap me interpretimin e himnit të Kosovës. Të ftuarit ishin kryesisht familjarët e dëshmorëve, invalidët e luftës, veteranët dhe aktivistët që kanë kontribuar në rrugën e lirisë së Kosovës.

Ekspozita e artit – një homazh për heronjtë

Eventi u shënua me një ekspozitë të titulluar “Liria erdhi me mua”, një homazh artistik për dëshmorët dhe heronjtë e luftës, realizuar nga artistë shqiptarë që jetojnë dhe veprojnë në Zvicër.

Një nga momentet më domethënëse të kësaj mbrëmjeje ishte hapja e ekspozitës së artit, ku u prezantuan vepra të shumta që simbolizojnë historinë, sakrificat dhe krenarinë kombëtare.

Ndër veprat më të spikatura ishin:

Agim Ramadani – Katana, me portretin e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, një ikonë e pavdekshme e qëndresës shqiptare. Gursel Sylejmani, me autoportretin e tij, duke mishëruar simbolikën e luftëtarit të palodhur për liri. Sylë Mujaj, me dy portrete të titulluara “Gjergji ynë, apo pasaporta jonë kombëtare”, realizuar në mermer dhe qeramikë. Arsim Berisha, me portretin e Adem Demaçit, “Gandhi i Ballkanit”, dhe një shqiponjë të copëzuar si simbol i tragjedisë kombëtare. Naim Selmonaj, me skulpturën “Liria erdhi me mua” dhe pikturën “Kosova, gur i çmuar në botë”. Visar Kryeziu, me punimet “Gjergj Kastrioti, Adem Jashari dhe Agim Ramadani”, duke përdorur teknikën “Vija e zezë në fushën e bardhë”. Dorina Ukgjini, me portretin e Skënderbeut dhe një pikturë të veçantë kushtuar nënës, si simbol i dashurisë dhe sakrificës. Pren Berisha, me portretin e Adem Jasharit dhe Bekim Berisha – Abeja, realizuar me mjeshtëri në akril. Vesel Xhaferi, me punimet e tij në polintelizëm, “Vallja jonë shqiptare” dhe “Ura e vashës”, krijuar nga pupla shqiponje me ngjyra unike. Riad Mehmeti, me punimet e tij në dru, duke paraqitur figurat historike të Agim Ramadanit dhe ciklin “Ringjallja”.

Këta artistë dhe shumë të tjerë i kanë sjellë veprat e tyre si një homazh për heronjtë, duke treguar se arti është një formë e fuqishme e kujtimit dhe nderimit të historisë.

Në fjalën e tij, Ambasadori i Republikës së Kosovës në Bernë, z. Mentor Latifi, shprehu mirënjohjen e tij për të gjithë ata që kanë kontribuar për lirinë e Kosovës:

Ambasadori Mentor Latifi: “Kemi një ditë historike, një ditë që mbush zemrat tona me krenari dhe dashuri të thellë për atdheun tonë, Kosovën e lirë, Kosovën shtet. Kjo ditë na kujton sakrificat e paimagjinueshme dhe guximin heroik të brezave të kaluar, të cilët dhanë gjithçka për të na mundësuar të jetojmë në një Kosovë të lirë. Tema e kësaj ngjarje është shumë e veçantë, “Liria erdhi me mua”, një homazh për ata që luftuan për lirinë dhe për ata që i dhanë Kosovës fytyrën e saj të pavdekshme përmes artit dhe sakrificës. Ne duhet të jemi mirënjohës dhe të vazhdojmë të ndihmojmë Kosovën në rrugëtimin e saj drejt prosperitetit. Falënderoj organizatorët, sidomos znj. Shukrije Ramadani, e cila me përkushtimin e saj sjell në vëmendje vetëmohimin e njerëzve tanë. Gjithashtu, falënderoj kolegët nga Ambasada e Shqipërisë, znj. Monika Zguro dhe z. Valon Gashi”.

Pas fjalës së ambasadorit, ekspozitën e hapi zëvendësambasadorja Shukrije Ramadani, e cila nënvizoi rëndësinë e kujtesës historike dhe përkushtimin e vazhdueshëm për të ruajtur dhe mbrojtur lirinë e fituar me gjak dhe sakrificë.

Zëvendësambasadorja Shukrije Ramadani: “Në këtë ditë të veçantë, në 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, nuk mund të gjejmë publik dhe mysafirë më të nderuar se ju. Juve që jetoni me dhimbje dhe plagë për ata që dhanë gjithçka për liri. Ata që ia falën jetën Kosovës për të krijuar të ardhmen tonë të lirë. Ata që fizikisht nuk janë më me ne, por që përjetësisht jetojnë në zemrat tona. Liria nuk është thjesht një fjalë, por një testament i forcës, guximit dhe dashurisë për atdheun. Kjo ditë është një kujtesë se liria duhet të mbrohet dhe të nderohet gjithmonë”.

Në këtë ngjarje të rëndësishme u ndanë edhe dy mirënjohje për sukseset e arritura nga dy vajza të dëshmorëve: Nertila Konushevci, vajza e Ilir Konushevcit, dhe Kaltrina Sulejmani, vajza e Gursel Sulejmanit, të cilat në një moshë të re kanë arritur të hapin dyert e universiteteve më të mira në botë.

Programi artistik vazhdoi me interpretimin e këngëve “Moj e bukura More” dhe “Xhamadani vija vija” nga kori “Lulëkuqet”, si dhe dy këngë të interpretuara nga këngëtarja Gentiana Tafili. Flautistja Anila Tasholli solli gjithashtu një performancë të veçantë për të pranishmit.

Në përfundim të mbrëmjes, Ambasadori Latifi njoftoi se më 12 mars 2025 do të mbahet një koncert i Filharmonisë së Kosovës në sallën madhështore “Casino Bern”, duke ftuar të gjithë të interesuarit të regjistrohen online për të ndjekur këtë aktivitet të rëndësishëm kulturor.

 

Mbrëmja festive përfundoi mes duartrokitjeve të ngrohta dhe emocioneve të forta, duke lënë në zemrat e të pranishmëve një ndjenjë krenarie dhe mirënjohjeje për sakrificën që bëri të mundur këtë ditë historike.

Kosova, në këtë përvjetor të rëndësishëm, vazhdon rrugën e ndërtimit, me ndihmën dhe përkushtimin e të gjithë bijve të saj, si brenda vendit ashtu edhe në mërgatë.

The post Rikujtim, mirënjohje, muzikë dhe art – Kosova shënon Pavarësinë në Bernë appeared first on Albinfo.