Shkolla shqipe hap dyert në Rickenbach të kantonit të Luzernit

Shkruan: Vaxhid Sejdiu
Rickenbach-u i Kantonit të Luzernit tashmë ka një adresë të re të dijes, kulturës dhe identitetit shqiptar. Në këtë vendbanim, Shkolla Shqipe – LAPSh. “Naim Frashëri” ka hapur dyert e klasës së saj, duke u ofruar fëmijëve shqiptarë mundësinë që të mësojnë gjuhën shqipe, të njohin më mirë kulturën dhe historinë e të parëve të tyre dhe të ruajnë lidhjen me rrënjët kombëtare.
Mësimi zhvillohet çdo të mërkurë, nga ora 15:20 deri në 16:40, në shkollën fillore në Rickenbach, nën përkujdesjen e mësueses Dorentina Berisha.
Kjo klasë ka nisur veprimtarinë me një grup nxënësish që kanë zgjedhur të jenë pjesë e Shkollës Shqipe: Diara, Lijana, Dijana, Nina, Reah, Ilir, Noar, Rion, David dhe Marku, të cilët ju bëjnë thirrje bashkëmoshatarëve të tyre që edhe ata të regjistrohen dhe ta mësojnë gjuhën amtare.
Hapja e kësaj klase është një dëshmi se edhe në komunitetet shqiptare në Zvicër ekziston një interes i madh për ruajtjen dhe zhvillimin e gjuhës shqipe. Në të njëjtën kohë, ajo është edhe një thirrje për të gjithë prindërit shqiptarë të Rickenbachut dhe rrethinës që të mos e lënë këtë mundësi të kalojë pa e shfrytëzuar.
Thirrje prindërve shqiptarë
Nga Rickenbachu vjen një thirrje e qartë për prindërit shqiptarë: t’u jepet fëmijëve mundësia ta mësojnë dhe ta duan gjuhën e tyre amtare.
Është përgjegjësi e përbashkët e prindërve, mësuesve dhe komunitetit që brezi i ri të mos largohet nga gjuha shqipe. Nëse fëmijët nuk e mësojnë gjuhën e prindërve dhe të gjyshërve të tyre, me kalimin e kohës rrezikon të dobësohet edhe lidhja e tyre me kulturën dhe trashëgiminë shqiptare.
Prandaj, prindër të dashur, regjistrojini fëmijët tuaj në Shkollën Shqipe! Jepuni mundësinë të mësojnë shqip, të lexojnë libra shqip, të shkruajnë shqip dhe të njohin më mirë historinë dhe kulturën e popullit të tyre.
Hapja e klasës në Rickenbach është një hap i rëndësishëm për komunitetin shqiptar të kësaj treve. Por suksesi i saj varet edhe nga përkrahja dhe angazhimi i prindërve.
Gjuha shqipe është pasuria që ua lëmë fëmijëve tanë. Ajo është ura që lidh të kaluarën me të ardhmen dhe brezat shqiptarë me njëri-tjetrin.
Le ta ruajmë, ta kultivojmë dhe ta përcjellim te fëmijët tanë.
Shkolla Shqipe në Rickenbach i pret dyert hapur për të gjithë fëmijët shqiptarë!
The post Shkolla shqipe hap dyert në Rickenbach të kantonit të Luzernit appeared first on Albinfo.
Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



