Sindikata e Minatorëve pas ngujimit të 63 minatorëve: Ky është alarm serioz për sigurinë në Trepçë

Sindikata e Minatorëve pas ngujimit të 63 minatorëve: Ky është alarm serioz për sigurinë në Trepçë

Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës, ka shprehur shqetësimin e tyre pasi 63 minatorë kanë mbetur të ngujuar mbrëmë në horizontet 8, 9, 10 dhe 11, si pasojë e djegies së një trafoje të energjisë elektrike në tunelin e parë.

Ata kanë thënë se ky rast është një alarm serioz për gjendjen e sigurisë në Trepçë dhe nuk guxon të kalojë në heshtje.

“Sindikata ka ngritur vazhdimisht shqetësimet për kushtet e punës, pajisjet e vjetruara, rrugët e emergjente, rreziqet profesionale dhe mungesën e investimeve në sigurinë dhe shëndetin e minatorëve. Minatorët nuk mund të vazhdojnë të punojnë çdo ditë me frikën se një defekt teknik mund t’u rrezikojë jetën. Kërkojmë nga institucionet përgjegjëse hetim të plotë dhe transparent të rastit, përcaktimin e përgjegjësive dhe vlerësim urgjent të gjendjes së pajisjeve, infrastrukturës, rrugëve të emergjencës dhe sistemeve të sigurisë në minierë”, thuhet në reagim.

Ata kanë kërkuar investime urgjente nga shteti në sigurinë e minatorëve dhe kanë thënë se nuk mjaftojnë deklaratat dhe reagimet vetëm pas incidenteve.

“Mediat po e pasqyrojnë me përgjegjësi zërin e minatorëve, por nuk mund të jetë vetëm media ajo që reagon. Institucionet duhet të veprojnë. Trepça mund të jetë pasuri strategjike e Kosovës, por mbi çdo pasuri qëndron jeta dhe shëndeti i minatorit. Mos të presim që një incident i radhës të kthehet në tragjedi. Tani është momenti për veprim! Faleminderit per te gjithe qe bashkndjet me ne minatoret!”, ka shkruar Sindikata.


Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.