DW: “Qëndrimi i ashpër ndaj Grubit – çmim i rëndë për BDI-në?”

Më herët për këtë vetëm pëshpëritej, ndërsa tani po shfaqen edhe kritikat e para publike se zyrtarët e BDI-së nuk i kanë dhënë mbështetje Artan Grubit dhe familjes së tij, mbi të gjitha në aspektin njerëzor. A mund të rezultojë aktakuza ndaj Artan Grubit edhe me një tronditje brenda BDI-së? Edhe pse formalisht njëra nuk lidhet me tjetrën, kjo çështje prek selinë e BDI-së në Reçicë të Vogël për shkak të reagimeve për një qëndrim të pretenduar si të papërshtatshëm të kreut të partisë ndaj ish-funksionarit të lartë shumëvjeçar.
Burime brenda partisë thonë se kjo është një temë për të cilën prej kohësh dëgjohen spekulime të ndryshme. Jo vetëm për shkak të vlerësimit të VLEN-it se Artan Grubi është “kutia e zezë e BDI-së”, që nënkupton mundësinë që ai të zbulojë të dhëna sensitive nga dy dekada të BDI-së në pushtet, por edhe për shkak të shqetësimit se po zien pakënaqësia për mënyrën se si kreu i BDI-së është sjellë ndaj Grubit dhe familjes së tij.
Çështja u aktualizua pas kthimit të Grubit nga arratia dhe u rikthye në vëmendje pasi, katër ditë më parë, ndaj tij dhe shtatë personave të tjerë u ngrit aktakuzë për keqpërdorime prej rreth 8.2 milionë eurosh në “Lotarinë Shtetërore”.
Burime nga nivelet më të ulëta të BDI-së thonë se nuk e dinë nëse dhe çfarë mbështetjeje kanë treguar ndaj familjes së Grubit funksionarët e partisë që deri dje ishin “krah për krah me të”, por se disa deklarata publike lënë të kuptohet se një mbështetje e tillë ka munguar.
“Ajo që i hidhet si gur BDI-së është se çfarë qëndrimi ka treguar partia ndaj Grubit, nga aspekti njerëzor. Dëgjohet se gjatë kohës që ai nuk ishte këtu, askush ose pjesa më e madhe e udhëheqjes nuk është interesuar se si është familja e tij, si janë fëmijët… Nuk e di nëse është e vërtetë. Do të doja të mos ishte. Por flitet edhe se, për shkak se ishte vendosur në listën e zezë, është kalkuluar se sa distancimi apo mosdistancimi prej tij do t’u sillte përfitim ose dëm”, thotë një anëtar i partisë.
“Nuk u treguan siç duhej”
Një kritikë publike për mungesën e mbështetjes erdhi përmes një postimi në Facebook nga aktivisti i BDI-së, Artin Spahiu, i cili shkruan:
“Artani dhe familja e tij po përballen të vetëm në këtë betejë, pa zërin dhe aktivitetin e organizatës sonë.”
Ai thotë se këtu nuk bëhet fjalë vetëm për parti, struktura apo interesa politike.
“Para se të jemi anëtarë të partisë, funksionarë apo pjesë e cilësdo strukturë, ne jemi njerëz. Dhe mbi të gjitha, duhet të kemi ndjeshmëri njerëzore dhe empati. Për fat të keq, për më shumë se 21 muaj, asnjëri prej atyre që sot quhen ‘politbyro’ nuk u tregua në mënyrën që duhej.”
Spahiu kujton se shumë prej atyre që sot përbëjnë “politbyronë” e BDI-së, sipas tij, janë vendosur në pozitat e tyre falë Grubit pas Kongresit të partisë në dhjetor 2019 dhe zgjedhjeve të brendshme që pasuan, ndërsa atëherë e quanin “shef”, “vëlla” dhe “mbret”.
“Nuk është Artani ai që ka nevojë për ta. Përkundrazi, pikërisht ata duhet të qëndrojnë pranë Artanit, për hir të vetvetes. Artani është si ujku që vetë i ka udhëhequr betejat. Por kjo nuk e arsyeton heshtjen e atyre që dikur kanë përfituar nga forca, ndikimi dhe mbështetja e tij”, vlerëson Spahiu.
Nga se kanë frikë?
Grubi konsiderohet si një njeri që “di shumë”, duke pasur parasysh se që nga viti 2011 është aktiv në BDI dhe ka mbajtur disa poste të larta, ndërsa për një periudhë ka qenë edhe shef i kabinetit të kryetarit të partisë, Ali Ahmeti.
Nga 30 gushti 2020 deri më 23 qershor 2024, ai ishte zëvendëskryeministër i parë dhe ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive. Gjatë kësaj periudhe, qeveria pranoi “propozimin francez”, u miratuan ndryshimet kontroverse të Kodit Penal dhe, sipas pretendimeve të ndryshme, u zhvilluan edhe negociata prapa skenës për kthimin e Gruevskit në vend.
Rami Mislimi, gazetar i portalit “Tetova Sot”, shkruan se nuk dëshiron të flasë për fuqinë politike që kishte Grubi, as për të ardhmen e tij politike apo vendimin e Prokurorisë, por për heshtjen e funksionarëve të BDI-së ndaj Artan Grubit.
“Ata (BDI-ja – v.j.) nuk thanë se rasti me të cilin përballet në Prokurori lidhet me një vendim kolektiv të Qeverisë, të votuar nga 20 ministra. Asnjëherë një status në rrjetet sociale, asnjë fotografi në mbështetje, asnjë deklaratë, asnjë fjalë, madje as një letër. Pse? Askush nuk i ka kërkuar BDI-së dhe funksionarëve të saj të ndikojnë te Prokuroria. Askush nuk u ka kërkuar funksionarëve të saj të ndikojnë te Gjykata. Askush nuk kërkon që një parti politike të vendosë në vend të drejtësisë. Drejtësia është çështje e institucioneve, por më pas shtrohet pyetja: Ku është dinjiteti njerëzor? Ku është njerëzillëku? Ku është solidariteti me një njeri me të cilin për vite kanë ndarë pushtetin, vendimmarrjen dhe përgjegjësinë politike? Pse shumica e funksionarëve të BDI-së nuk thanë asnjë fjalë publike? Nga kush kanë frikë?”, pyet Mislimi.
A mund të shkaktojë aktakuza ndaj Artan Grubit tronditje në Reçicë të Vogël?
BDI-ja, për të qenë korrektë, para tri ditësh reagoi me një komunikatë të titulluar “Dy vite hetim pa asnjë provë, aktakuzë absurde politike për një vendim kolektiv”, por pa përmendur se për cilin rast bëhet fjalë dhe emrin e kujt po e mbron nga “aktakuza absurde politike”.
“Pas dy vitesh hetim, publiku meriton të dijë mbi cilat prova dhe argumente konkrete bazohet një aktakuzë e tillë. Ne respektojmë pavarësinë e institucioneve të drejtësisë, por në të njëjtën kohë kërkojmë drejtësi të barabartë dhe selektive. Vendimet kolektive nuk mund të shndërrohen në instrument për përgjegjësi selektive dhe përndjekje individuale politike…”
BDI-ja kërkoi gjithashtu transparencë të plotë të procesit dhe mbikëqyrje ndërkombëtare të hapur e transparente të rastit, duke theksuar se nuk kërkon privilegje për askënd, por “zbatim të barabartë të ligjit, proces të drejtë dhe drejtësi pa ndikim politik”.
VLEN: Kohë të vështira për Ali Ahmetin
“Për cilën aktakuzë? Kundër kujt është? Rastësisht apo jo, nuk përmenden emrat? Çfarë shqetësimi pa emër është ky?”, ishin disa nga komentet në rrjetet sociale pas reagimit të BDI-së.
Nga koalicioni qeverisës VLEN në disa raste kanë përsëritur se e kanë përgjigjen se pse dhe nga kush ka frikë BDI-ja.
“Prej kohësh themi se Artan Grubi është ‘kutia e zezë’ e BDI-së dhe se shumë përllogaritje dhe zhvillime në këtë parti varen nga prania ose mungesa e tij (…) Për Ali Ahmetin, kohët e vështira sapo kanë filluar. Nuk mund të vazhdojë përpara, por as nuk ka ku të kthehet!”
Nga VLEN vlerësojnë se “frika nga kujtesa e Grubit tashmë po merr tatim”./DW
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



