Sulmi kibernetik në Zvicër prek edhe tri dyqane të tjera

Sulmet kibernetike ndaj sistemeve frigoriferike kanë prekur edhe tri dyqane të rrjetit zviceran Volg, pas incidentit të raportuar në një dyqan mishi në komunën Köniz, pranë Bernës, përcjell albinfo.ch.
Në tri dyqanet e Volg janë konstatuar ndryshime të paautorizuara në parametrat e pajisjeve frigoriferike. Kompania ka njoftuar se ka ndërmarrë masa shtesë për forcimin e sigurisë teknike.
Ndërkohë, sulmi ndaj dyqanit të mishit “Lüthi’s Fleischwaren” në Köniz ka shkaktuar dëme të konsiderueshme. Sipas pronarit, temperatura në ngrirës kishte arritur ndërmjet 50 dhe 70 gradë Celsius, duke dëmtuar produktet ushqimore.
Për shkak të incidentit, dyqani është mbyllur përkohësisht, ndërsa rihapja është planifikuar për 20 nëntor.
Rastet në Zvicër vijnë pas një serie sulmesh të ngjashme në disa vende evropiane, ku persona të paidentifikuar kanë ndërhyrë në sistemet elektronike të ftohjes së supermarketeve.
Deri tani nuk është konfirmuar nëse incidentet në Zvicër janë të lidhura drejtpërdrejt me sulmet e raportuara në vendet e tjera evropiane.
The post Sulmi kibernetik në Zvicër prek edhe tri dyqane të tjera appeared first on Albinfo.
Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



