Sveçla në forumin në Slloveni: Sulmi terrorist në Banjskë vazhdon të mbetet një çështje e pazgjidhur
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka marrë pjesë në forumin e ministrave të brendshëm në kuadër të procesit të BRDO-s në Slloveni ku tha se shkoi me ftesë të homologut të tij, Boštjan Poklukar. Të pranishëm në këtë forum ishin dhe Komisionerja e për zgjerim Marta Kos dhe Komisioneri për punë
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka marrë pjesë në forumin e ministrave të brendshëm në kuadër të procesit të BRDO-s në Slloveni ku tha se shkoi me ftesë të homologut të tij, Boštjan Poklukar.
Të pranishëm në këtë forum ishin dhe Komisionerja e për zgjerim Marta Kos dhe Komisioneri për punë të brendshme dhe migrim Magnus Brunner.
Sveçla tha se para të pranishmëve ka folur për sulmin terrorist të Banjkës, për të cilin tha se ka mbetur i pazgjidhur.
“Theksova se sulmi terrorist në Banjskë më 24 shtator 2023 vazhdon të mbetet një çështje e pazgjidhur, me kryesit e krimit ende të arratisur. Po ashtu, vura në pah se vetëm në gjysmën e fundit të vitit 2024, në Kosovë kanë ndodhur 11 sulme që përfshijnë përdorimin e pajisjeve shpërthyese, përfshirë sulmet ndaj Stacionit të Policisë në Zveçan dhe ndërtesës së Komunës, si dhe ndaj kanalit të ujit Ibër Lepenc në Zubin Potok, i cili furnizon Kosovën me 60 përqind të ujit të pijshëm”.
Gjatë forumit, Sveçla tha se diskutuan për “rreziqet reale të kohës, terrorizmi dhe trafikimi me qenie njerëzore, lufta ndaj të cilave kërkon intensifikim të bashkëpunimit me qëllim të luftimit efikas të tyre”.
Më pas, Sveçla tha se ka adresuar “rezultatet tona në luftën ndaj terrorizmit por edhe sfidat që kemi në këtë drejtim për shkak të sulmeve të vazhdueshme të Serbisë që të destabilizojë situatën e sigurisë në Kosovë”.
“Republika e Kosovës mbetet storie suksesi edhe në luftimin e formave të tjera të terrorizmit ndërsa në aspektin strategjik vazhdojmë të kemi në fokus komponentën e parandalimit. Në kuadër të luftës ndaj trafikimit të qenieve njerëzore, theksova rëndësinë e bashkëpunimit mes institucioneve tona si mekanizmi kryesor në goditjen e rrjeteve kriminale që zhvillojnë këtë aktivitet dhe sjelljen e tyre para drejtësisë si dhe mbrojtjen efikase të viktimave. Republika e Kosovës mbetet aktive dhe e gatshme për bashkëpunim me qëllim të luftimit të çdo ilegaliteti që cenon sigurinë, paqen dhe stabilitetin”.