Takimi Kurti-Erdogan në New York, u diskutua edhe aktgjykimi i Hagës

Takimi Kurti-Erdogan në New York, u diskutua edhe aktgjykimi i Hagës

Aktgjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë ka qenë një nga temat e diskutuara në takimin mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, në New York.

Sipas Zyrës së Kryeministrit, Kurti e ka cilësuar aktgjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit si të padrejtë dhe ka thënë se ai duhet të korrigjohet në Apel.

Takimi është zhvilluar në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Gjatë takimit, Kurti dhe Erdoğan kanë diskutuar edhe për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Turqisë, bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe zhvillimin ekonomik.

Kurti e ka falënderuar presidentin turk për mbështetjen e Turqisë ndaj Kosovës, përfshirë bashkëpunimin në forcimin e kapaciteteve ushtarake dhe industrisë së mbrojtjes.

Është diskutuar edhe për rolin e Turqisë në KFOR dhe kontributin e saj për sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë.

Sipas Zyrës së Kryeministrit, shkëmbimet tregtare mes dy vendeve kanë arritur në rreth 1 miliard dollarë (rreth 872 milionë euro), ndërsa investimet turke në Kosovë janë rritur.

Në takim janë përmendur edhe fabrika e re e municionit në Gjakovë dhe Parku i Energjisë së Erës në Rahovec, projekte që po zhvillohen në bashkëpunim me kompani nga Turqia.

Në fund, të dyja palët kanë shprehur gatishmërinë për të vazhduar thellimin e marrëdhënieve politike, ekonomike dhe tregtare.

Kurti gjithashtu e ka ftuar presidentin Erdoğan për vizitë në Kosovë.


Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.