Vehbi Kryeziu: Dua të jem një zë që përfaqëson edhe shqiptarët

“I thërras shqiptarët me të drejtë vote që të votojnë dhe të mendojnë në mënyrë politike e jo vetëm përmes premtimeve që ua bëjnë disa parti populiste” The post Vehbi Kryeziu: Dua të jem një zë që përfaqëson edhe shqiptarët appeared first on Albinfo.

Vehbi Kryeziu: Dua të jem një zë që përfaqëson edhe shqiptarët

Më 23 mars, mbahen zgjedhjet komunale në kantonin e Gjenevës. Këtë vit kemi shumë garues me origjinë shqiptare në të gjitha formacionet politike. Kësaj radhe po ju njohim me Vehbi Kryeziun nga partia e të Gjelbërve, i cili kandidon në komunën e Meyrin-it.

“Me bindje të majta qysh prej moshës së re, edhe sot qëndroj në këto bindje politike dhe angazhohem në partinë e gjelbër të Gjenevës. Kandidoj për zgjedhjet lokale në komunën ku jam rritur dhe jetoj, në Meyrin. Dua që të jem një zë për të gjithë qytetarët e komunës por edhe për bashkatdhetarët shqiptarë, që ti përfaqësoj sa më mirë e më drejt”. Kështu prezanton veten Vehbi Kryeziu, kandidat “i gjerlbër” për zgjedhjet në komunën Meyrin të Gjenevës.

Albinfo.ch: Cilat janë vlerat themelore të partisë që i takoni?

V. Kryeziu: Vlerat tona themelore, si parti e majtë dhe e gjelbër, janë mbrojtja e ambientit, barazia dhe mirëqenia sociale, duke munduar që çdo qytetar të jetë i barabartë dhe që të jetoj në një ambient sa më të mirë.

Albinfo.ch: Cili ishte motivi juaj për tu angazhuar në politikën gjenevase?

V. Kryeziu: Motivimi i im i parë është dëshira për me bë ndryshime, dhe me qenë një përfaqësues sa më i mirë i atij elektoratit që do të më voton. Së dyti, unë dua që fëmijët e mi të jetojnë në një Botë sa më të drejt dhe më të mirë. Për këto ndryshime, vetëm angazhimi politik i mundëson këto arritje.

Albinfo.ch: Pse duhet që përpos banorëve të të gjitha nacionaliteteve, pikërisht komuniteti shqipar me të drejtë vote në komunën tuaj, t’u votojë pikërisht juve? Mendoni se ju keni për të bërë politikë ndryshe, nga ajo që është parë deri më tani?

V. Kryeziu: Në komunën e Meyrin-it, jemi 1065 shqiptarë ose me prejardhje shqiptare e që kanë të drejt vote. Pra, është një elektorat shumë i madh. Për mua është me rendësi me pas përkrahjen e bashkatdhetarëve sepse synoj që të jem një përfaqësues sa më i mirë dhe dua që eksperiencën profesionale por edhe politike që e kam, ta vënë në shërbim të kësaj popullate që i takoj edhe vetë. Politika e partisë sonë është ndryshe dhe legjislaturat e kaluara në komunën e Meyrin-it e dëshmojnë këtë. Pra ne nuk jemi për stigmatizim por për barazi dhe solidaritet dhe një theks për ambientin në të cilin jetojmë.

Albinfo.ch: Cilat janë projektet që premton t’i realizojë formacioni i juaj politik, dhe ç’ rol luani ju nëse jeni i/e zgjedhur në të mirë të qytetarëve të komunës tuaj?

V. Kryeziu: Formacioni ynë politik e ka një program që është një kontratë sociale me banorët e komunës së Meyrin-it. Në at pako, që quhet “Plani për Aksionet Komunale për Tranzicionin Ekologjik” kemi hartuar disa kapituj për shëndetësinë, ekonominë lokale, barazi, bujqësi biologjike e disa tema tjera.

Albinfo.ch: Cili është vizioni i juaj sot për Gjenevën në përgjithësi dhe komunën e juaj në veçanti?

V. Kryeziu: Gjeneva, si qyteti i dyti më i madh në Zvicër, ka ende nevojë për një përgatitje dhe modernizim për dekadat që do të vinë. Pra, në tranzicionin energjetik dhe ekologjik duhet që të gjithë të përgatitemi për një jetë ndryshe. Në komunën ku unë garoj, pra në Meyrin, ne tashmë kemin filluar me këto sfida. Dhe besojmë si në nivel komunal apo kantonal duhet vazhduar me vizionin tonë për një mirëqenia sociale, një barazi më të drejtë dhe me transporte ose infrastruktura energjetike më eficiente.

Albinfo.ch: A jeni i angazhuar në ndonjë shoqatë vendore apo në ndonjë projekt që ka të bëjë me Kosovën, qoftë këtu apo në Kosovë?

V. Kryeziu: Unë isha gati një dekadë i angazhuar në një lëvizje politike në Kosovë. Por pas një kohe, jam koncentruar në jetën time personale dhe profesionale. Jam anëtar në disa organizata, sikur në Amnesty International, WWF por edhe në shoqata sikur në Fondacionin Bodmer. Në Kosovë, jam i angazhuar vazhdimisht në shumë projekte ose në mbledhjen e ndihmave për shkolla ose komuna me probleme financiare. Jam edhe anëtar i Arkivave Kombëtare në Tiranë si studiues dhe hulumtues.

Albinfo.ch: Ç’ porosi keni për shqiptarët e Gjenevës si tërësi e prej tyre, për votuesit e mundshëm në veçanti?

V. Kryeziu: Shqiptarët duhet ta kuptojnë së pari, çka synojnë dhe se kush jemi. Ardhja e jonë në Zvicër ishte një moment historik kur ne po kalonim kohë të vështira si në rrafshin ekonomik ashtu dhe në atë politik. Pra ne si pjesëtarë të kombit shqiptar duhet rikujtuar se kush ishin ata që na pritën në Zvicër dhe se çka kemi braktisur kur kemi ardhur në Zvicër. Aparteidi në të cilin kemi jetuar në ish-Jugosllavi, ushtrohej mbi ne pikërisht sepse ishim shqiptarë. Sot, për mua është e pakuptueshme të jemi të angazhuar në parti politike që deri dje na kanë stigmatizuar dhe ishin kundër ardhjes tonë këtu por edhe kundër pavarësisë së Kosovës, pikërisht sepse jemi shqiptarë.

Unë i thërras të gjithë shqiptarët që kanë të drejtën e votës që të votojnë. Dhe sidomos të mendojnë në mënyrë politike e jo veç përmes disa premtimeve të pabazë që ua bëjnë disa parti populiste në komunat ku jetojnë.

Biografia

I lindur në Prishtinë, 41 vjeçar, i martuar dhe prind i dy fëmijëve. Qëndroj në Zvicër prej vitit 1994. Pas përfundimit të shkollës profesionale në informatikë, kam vazhduar studimet në diplomë federale, në shërbime informatike. Kam punuar në disa nga kompanitë më të mëdha ndërkombëtare e zvicerane, sikur në Hewlett-Packard, Skyguide, Bankën private gjenevase Lombard Odier. Sot jam, administrator i sistemeve dhe i rrjeteve informatike në Bankën Kombëtare të Kuvajtit, dega në Gjenevë.

 

The post Vehbi Kryeziu: Dua të jem një zë që përfaqëson edhe shqiptarët appeared first on Albinfo.