Vëlla e motër u vranë dje në Livoç të Gjilanit, kryetari i Vitisë ngushëllon familjen Bogujevci nga Pozherani

Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka shprehur ngushëllime për familjen Bogujevci nga Pozherani, pas vdekjes tragjike të dy anëtarëve të saj dhe plagosjes së një tjetri në fshatin Livoç të Gjilanit.
Ai u ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjarëve dhe të afërmve të viktimave, ndërsa të plagosurit i ka uruar shërim të shpejtë dhe të plotë.
Kreu i Vitisë ka bërë thirrje që organet kompetente të veprojnë me urgjencë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe që përgjegjësit të përballen me drejtësinë.
“Dhuna dhe marrja e jetëve të njerëzve janë të papranueshme dhe nuk mund të kenë asnjë arsyetim. Siguria e qytetarëve dhe mbrojtja e jetës së njeriut duhet të mbeten përparësi e institucioneve dhe e gjithë shoqërisë sonë”, ka deklaruar Haliti.
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



