Vjenë: Mbrëmje letrare kushtuar “Letërsisë Gjermano-Shqiptare”
Anna Kove dhe Fate Velaj mbi përkthimin dhe Letërsinë Gjermano-Shqiptare The post Vjenë: Mbrëmje letrare kushtuar “Letërsisë Gjermano-Shqiptare” appeared first on Albinfo.

Shoqëria Austriake për Letërsinë, në bashkëpunim me Ambasadën e Shqipërisë në Vjenë, organizoi në Vjenë më 10 mars 2025, një mbrëmje letrare të veçantë, ku në qendër të vëmendjes ishte një bashkëbisedim mes përkthyeses së njohur Anna Kove dhe Ambasadorit Fate Velaj, në cilësinë e shkrimtarit., përcjell albinfo.at.
Anna Kove, përkthyese e vlerësuar me disa çmime dhe një ndër emrat më të rëndësishëm në fushën e përkthimit letrar nga gjermanishtja në shqip, ndau me publikun rrugëtimin e saj mes dy gjuhëve dhe sfidat e kësaj pune delikate. Ajo ka sjellë në shqip vepra të kolosëve të letërsisë gjermane dhe austriake, si Günter Grass, Paul Celan, Daniel Kehlmann, Hans Fallada, Herta Müller e shumë të tjerë, duke u bërë një urë lidhëse mes dy kulturave. Në fjalën e saj, ajo vuri në dukje interesin në rritje për letërsinë gjermane dhe austriake në Shqipëri, kërkesat e shumta të lexuesve për përkthime cilësore, por edhe vështirësitë që hasin përkthyesit për të përcjellë me besnikëri stilin dhe nuancat e autorëve origjinalë. Ajo theksoi gjithashtu sfidat e tregut të librit në Shqipëri dhe rolin e rëndësishëm që luan përkthimi në pasurimin e kulturës letrare të vendit.
Nga ana tjetër, Fate Velaj u ndal tek historia e letërsisë gjermane në Shqipëri, duke kujtuar autorët që arritën të depërtonin në tregun shqiptar, pavarësisht kufizimeve dhe censurës që ka shoqëruar disa prej tyre në periudha të ndryshme. Ai solli në vëmendje emra të tillë si Erich Maria Remarque, Lion Feuchtwanger dhe Stefan Zweig, të cilët, ndonëse të pëlqyer nga lexuesit shqiptarë, shpesh herë janë përballur me ndalime dhe kufizime në botim gjatë regjimit komunist. Gjithashtu, ai analizoi vështirësitë e letërsisë shqipe pas viteve 1970 dhe ndikimin e politikës në zhvillimin dhe përhapjen e saj.
Mbrëmja u karakterizua nga një diskutim i gjallë dhe i pasur me reflektime mbi përkthimin, letërsinë dhe rolin e saj në ndërlidhjen e kulturave, duke sjellë një këndvështrim të ri mbi marrëdhëniet letrare mes Shqipërisë, Austrisë dhe Gjermanisë.
Këtij takimi iu bashkuan intelektuale dhe artdashës shqiptarë dhe austriakë.
The post Vjenë: Mbrëmje letrare kushtuar “Letërsisë Gjermano-Shqiptare” appeared first on Albinfo.